1
Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Lilat.” I Davidit.
2 Më shpëto, o Hyj,
sepse uji më arriti deri në fyt!
3 Jam ngulur thellë në baltë,
s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:
kam rënë në pellgun e ujërave
e valët po më mbulojnë.
4 U këputa duke lëshuar kushtrim,
m’u tha krejtësisht gurmazi,
m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.
5 Më shumë se flokët e kokës sime
janë ata që më urrejnë pa të drejtë.
U forcuan ata që më salvuan,
armiqtë e mi gënjeshtarë:
çka nuk vodha më duhej të ktheja?
6 O Hyj, ti e njeh marrëzinë time,
fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.
7 Mos lejo të skuqen në mua
ata që shpresojnë në ty, o Zot,
Zoti i ushtrive,
mos lejo të turpërohen në mua
ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!
8 Sepse për shkakun tënd e mbarta poshtërimin,
turpi ma mbuloi fytyrën,
9 u bëra i huaj për vëllezërit e mi,
i panjohur për bijtë e nënës sime.
10 Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde,
përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.
11 E ndëshkova veten me agjërim,
por kjo m’u kthye në çnderim;
12 për petk vesha grathoren,
përrallë e lodër u bëra për ta.
13 Kundër meje flasin ata që rrinë në derë,
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
14 E pra, unë ty të lutem, o Zot,
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde,
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
15 Më nxirr nga lymi të mos humbas,
më shpëto prej atyre që më urrejnë,
prej ujërave të thella!
16 Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave,
mos lejo të më përpijë thellësia,
të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!
17 Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt,
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
18 mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd,
sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!
19 Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë
për shkak të armiqve të mi, më shpërble.
20 Ti e sheh çnderimin tim,
turpin tim e “nderimin” tim:
para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.
21 Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë,
prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe,
ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.
22 Në ushqim më hodhën vrer
e në etje më dhanë të pi uthull.
23 Tryeza e tyre për ta lak u bëftë,
shpagim e kurth.
24 U errësofshim sytë e tyre e mos pafshin,
bëj gjithmonë të jenë të këputur në kryq.
25 Zbraze mbi ta hidhërimin tënd,
i djegtë flaka e zemërimit tënd!
26 Banesa e tyre u ktheftë në shkretëtirë,
në çadër të tyre mos pastë kush të banojë!
27 Pse salvuan atë që ti qortove,
pse i shtojnë dhembjen atij që plagose.
28 Fajësisë së tyre u shto faje mbi faje,
që të mos mund të shfajësohen para teje,
29 që të hiqen prej librit të të gjallëve,
të mos numërohen në radhët e të drejtëve!
30 Mua të mjerin e të pikëlluarin:
më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!
31 Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë,
do ta lartësoj me këngë falenderimi.
32 Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati,
më tepër se demi me brirë e me thundra!
33 Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
34 Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
35 Le ta lavdërojnë qielli e toka,
detet dhe gjithçka lëviz në to.
36 Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin,
Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës,
aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.