< Ps 67 Ps 69 >
Psalmet(Ps 68)
68

1

Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm. Këngë.

2 U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij,
u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!

3 Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan,
si shkrihet dylli përballë zjarrit,
ashtu të zhduken keqbërësit përpara Hyjit!

4 Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit,
le të galdojnë e le të brohorisin me hare.

5 Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij,
bëni udhë Atij që kalëron mbi re:
“Zot” është Emri i tij,
vallëzoni në praninë e tij!

6 Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

7 Hyji u siguron banesën të pashtëpive,
u hap të burgosurve derën e lirisë,
kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.

8 O Hyj, kur dilje para popullit tënd,
kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:

9 trandej toka, qielli rigonte
para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.

10 Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj,
e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.

11 Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

12 Zoti shpall një lajm
e vajzat lajmëtare janë një ushtri e tërë:

13 “Mbretërit e ushtrive ikin e ikin
e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!

14 Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave,
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi,
e pendët e saja porsi ari i verdhë.

15 Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente,
Selmoni zbardhonte me dëborë”!

16 Mali i Hyjit, mali Basan,
mal i thepisur mali Basan!

17 Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni
malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë?
Zoti në të do të banojë gjithherë!

18 Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash:
Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!

19 U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre,
dhuratë njerëzit i more,
që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.

20 Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë!
Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.

21 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,
e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!

22 Patjetër Hyji armiqve të vet kokën do t’ua thyejë,
butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.

23 Tha Zoti: “Nga Basani do t’i kthej,
do t’i kthej nga thellësia e detit,

24 që ta lash këmbën tënde në gjak,
që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!

25 U panë, o Hyj, procesionet e tua,
procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:

26 Përpara këngëtarët, muzikëtarët pas,
në mes vashat duke u rënë defave!

27 “Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime,
bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit”!

28 Aty djaloshi Beniamin u prin,
princat e Judës me togat e veta,
princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!

29 Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde,
përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,

30 prej Tempullit tënd në Jerusalem.
Mbretërit le të sjellin dhurata!

31 Kërcënoju egërsirës së kallamit,
lorisë së mëzetërve e viçave të popujve,
le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;
shpërndaji popujt që luftës i gëzohen!

32 Do të vijnë bujarët nga Egjipti,
Etiopia do t’i drejtojë duart drejt Hyjit!

33 Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit,
këndoni Zotit, këndoni Hyjit,

34 që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm.
Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:

35 “Pranojeni gjithëpushtetësinë e Hyjit”!
Mbi Izraelin madhëria e tij,
përmbi re fuqia e tij!

36 I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote!
Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet.



Fjala e Zotit