1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit. Këngë.
2 Ty, o Hyj, të përket himni në Sion, për nderin tënd u plotësoftë kushti në Jerusalem!
3 Tek ti që i dëgjon lutjet do të vijë çdo njeri i ngarkuar me mëkate.
4 Fajet tona janë më të forta se ne, por ti i zhduk mëkatet tona.
5 Lum ai që ti zgjodhe dhe e more pranë vetes: ai banon në Shtëpinë tënde. Do të ngihemi me të mirat e Shtëpisë sate, me shenjtërinë e Tempullit tënd.
6 Ti na ndihmon me mrekullitë e drejtësisë sate, o Hyj i shpëtimit tonë, shpresa e mbarë skajeve të tokës e të detit të largët.
7 Ti i forcon malet me fuqinë tënde, i ngjeshur me pushtet,
8 ti qetëson tërbimin e deteve, gjëmën e valëve të tija dhe rrëmujën e popujve.
9 Edhe ata që jetojnë në skajet e botës mbesin të habitur nga mrekullitë e tua, me gëzim i mbush dyert e mëngjesit e të mbrëmjes!
10 Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit, e ngarkon me prodhime të begatshme. Lumi i Hyjit është plot me ujë: ti bën të rriten drithëra për njerëz! Tokën ti kështu e përgatit:
11 hullitë ia lag, bucat ia imtëson, me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
12 E kurorëzon vitin me mirësinë tënde, gjurmëve të tua rrjedh begatia,
13 kullotat e shkretëtirës rijnë njomësi, mballesat bregoreve ngjeshen me hare,
14 livadhet janë të veshura me dele, luginat mbulohen me drithëra: gjithkah këngë e brohoritje me hare