1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
3 më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
4 Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara,
5 për ta shigjetuar në fshehtësi të pafajshmin; e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë.
6 Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija, shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta e thonë: “Kush mund t’i shohë”?
7 Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
8 Por Hyji i shigjetoi ata, papritmas i mbuluan plagët.
9 Gjuha e vet ata i sharroi, kush i sheh, i habitur, luan kokën.
10 Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
11 I drejti do të gëzohet në Zotin, në Të do ta ketë shpresën, me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.