1 Psalm. I Davidit, kur qëndronte në shkretëtirën e Judës.
2 O Hyj, Hyji im je ti, që në agim të kërkoj. Ka etje për ty shpirti im, ty të dëshiron trupi im, si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
3 kështu erdha në Shenjtëroren tënde për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
4 Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: buzët e mia do të të lavdërojnë.
5 Kështu do të të bekoj në jetën time e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
7 Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, në përgim natën do të mendoj për ty,
8 sepse ti je bërë ndihma ime, prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
9 Shpirti im u mbështet në ty, e djathta jote më merr për dore.
10 E ata që kërkojnë të ma marrin shpirtin, do të zbresin në thellësitë e dheut,
11 do të bien nën pushtetin e shpatës, do të bëhen pre e çakejve.
12 Mbreti do të gëzojë në Hyjin, do të galdojnë të gjithë ata që përbehen në të, kurse rrenacakëve do t’u mbyllet goja.