1 Mjeshtrit të korit. Mbi Idutun. Psalmi. I Davidit.
2 Vetëm në Hyjin pusho, shpirti im, sepse prej tij vjen shpëtimi im.
3 Vetëm ai është qeta ime e shpëtimi im, kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
4 Deri kur do të suleni kundër një njeriu, do ta rrëzoni të gjithë së bashku si murin e prishur, si gardhin e thyer?
5 Synojnë ta rrëzojnë prej së larti, kënaqësinë e gjejnë në gënjeshtër. Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë.
6 Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, vetëm në të qëndron shpresa ime!
7 Vërtet vetëm Ai është Hyji im e shpëtimi im, kështjella ime: më kurrë nuk do të trandem!
8 Në Hyjin është shëlbimi im e nderi im, në Hyjin shpresa e fuqisë sime, strehimi im në Hyjin.
9 Shpreso në të gjithmonë, o popull, atij hapi zemrën, sepse Hyji është strehimi ynë.
10 Vërtet si avull janë bijtë e Adamit, gënjeshtër e thjeshtë bijtë e njeriut: në qoftë se hipin në peshore, të gjithë dalin më të lehtë se tymi!
11 Ruaj se shpresoni në dhunë, ruaj se ju gënjen preja; në pasuri kur ato shtohen mos e ngjitni zemrën për to!
12 Perëndia një herë foli, unë këto dy herë dëgjova: “Pushteti i përket Hyjit, jotja, o Zot, është mëshira!
13 Ti shpërblen gjithkënd sipas veprave që të ketë bërë”!