Duke ngarkuar...

< Ps 58 Ps 60 >
Psalmet(Ps 59)
59

1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro…” E Davidit. Poemë. Kur Sauli dërgoi njerëzit t’ia rrethonin shtëpinë e ta vrisnin Davidin.

2 Hyji im, më shpëto prej armiqve të mi, më mbro prej sulmuesve të mi!

3 Më shpëto prej atyre që bëjnë të keqen, më shpëto prej atyre që derdhin gjak!

4 Ja, ia vunë pritën jetës sime, u sulën kundër meje të fortët!

5 E pra, unë s’kam faj as mëkat, o Zot, pa pasur në mua paudhësi, bëhen gati të më sulmojnë! Çohu, eja e shiko,

6 ti, o Zot, Hyji i ushtrive, Hyji i Izraelit, zgjohu e ndëshkoji të gjithë paganët, mos mëshiro asnjë që vepron pabesisht!

7 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë, enden nëpër qytet.

8 Ja, vjellin nga goja padrejtësi, shpatë i kanë buzët, thonë: “Kush na ndien”?

9 E ti, o Zot, i përqesh ata, në lojë i vë të gjitha kombet.

10 Fuqia ime, ty të pres, sepse ti, o Hyj, je kështjella ime.

11 Hyji im, mëshira jote do të më mbërrijë me kohë, Hyji do të bëjë nga lart t’i shikoj armiqtë e mi.

12 Mos i vra që populli im të mos harrojë, por shpërndaji me fuqinë tënde, shtroji përdhe, o Zot, Mbrojtësi im!

13 Mëkat është çdo fjalë që del nga goja e tyre: le të sharrojnë në krenarinë e tyre! Për shkak të shpifjeve e gënjeshtrave që flasin

14 shfarosi në hidhërimin tënd, shfarosi e të mos jenë, le ta dinë se Hyji është zotërues në Jakobin e mbarë skajet e tokës!

15 Kthehen në mbrëmje, lehin si qentë, enden nëpër qytet.

16 Le të enden rrotull për të gjetur ushqim; e, nëse nuk do të ngopen, le të ulërijnë!

17 Kurse unë do ta këndoj fuqinë tënde, në mëngjes do ta lartësoj dashurinë tënde, sepse ti qe kështjella ime, strehimi im në ditën e rrezikut tim.

18 Fuqia ime, ty dëshiroj të të këndoj, sepse, ti o Hyj, je kështjella ime: Hyji im, mëshira ime!



Fjala e Zotit