Duke ngarkuar...

< Ps 57 Ps 59 >
Psalmet(Ps 58)
58

1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro…” E Davidit. Poemë.

2 Vallë njëmend flisni të drejtën, o pushtetmëdhenj, me drejtësi i gjykoni bijtë e njerëzve?

3 Përkundrazi! Me mendje përbluani gënjeshtrën, duart tuaja mbi tokë përgatisin dhunën!

4 E lanë rrugën që në ngjizje mëkatarët, e gabuan rrugën që prej kraharorit të nënës rrenacakët.

5 Janë të helmuar porsi shlligëzat, porsi kapastreci i shurdhët që i mbyll veshët

6 të mos e dëgjojë zërin e shortarit, zërin e magjistarit që është mjeshtër të magjepsë.

7 Ti, o Hyj, thyeju dhëmbët në gojën e tyre, copëtoju nofullat luanëve, o Zot!

8 Le të derdhen si uji që rrjedh, le të thahen si bari që shkelet!

9 Si kërmill që shkrihet në jargë u bëfshin, si dështaku i gruas që s’e sheh diellin!

10 Para se vegshat tuaj ta ndiejnë flakën e krandeve, gjallë i përvëloftë flaka e hidhërimit!

11 Do të kënaqet i drejti kur ta shohë hakmarrjen, këmbët e veta do t’i lajë në gjakun e mëkatarit,

12 Njerëzit do të thonë: “Ka shpërblim për të drejtin, po, është Hyji që gjykon mbi dhe”!



Fjala e Zotit