1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë: “Mos shkatërro…” E Davidit. Poemë. Kur iku prej Saulit në shpellë.
2 Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im mbështetet në Ty, po strehohem nën hijen e krahëve të tu derisa të më kalojë rreziku i pritës.
3 Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, Hyjin që më bën mirë.
4 Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, do t’i turpërojë ata që më shtypin, Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.
5 Shpirti im banon mes luanëve që i përpijnë bijtë e njerëzve. Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, gjuha e tyre shpatë e mprehtë.
6 Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, përmbi mbarë tokën lavdia jote!
7 Këmbëve të mia u vunë leqe, e ngushtuan shpirtin tim, para meje e hapën gropën: ata vetë ranë brenda!
8 Zemra ime është gati, o Hyj, gati është zemra ime:
9 do të këndoj, këngës do t’ia them! Zgjohu, lavdia ime, Zgjohu, o harpë e cetër, dua ta zgjoj agimin!
10 Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, ty do të të këndoj ndër kombe.
11 Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, e deri në re e vërteta jote!
12 Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, përmbi mbarë tokën lavdia jote!