Duke ngarkuar...

< Ps 54 Ps 56 >
Psalmet(Ps 55)
55

1 Mjeshtrit të korit. Me vegla muzikore me korda. Poemë. E Davidit.

2 Vështroje, o Hyj, lutjen time, mos u fsheh para lutjes sime,

3 më prano e më vështro, se në mjerimin tim u shkriva në vaj,

4 prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit. Hedhin mbi mua paudhësi, më sulmojnë me tërbim.

5 Dridhet zemra ime në mua, më përshkoi tmerri i vdekjes.

6 Frikë e tmerr erdhën mbi mua, më mbuloi një rrënqethje e rëndë.

7 Thashë: “Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit për të fluturuar e për të gjetur pushim?

8 Larg, larg do të fluturoja, në shkretëtirë do të banoja.

9 Do ta prisja atë që më shpëton nga furia e erës dhe e stuhisë”.

10 Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, sepse shoh dhunë e grindje në qytet.

11 Ditën, natën qarkullojnë mbi mure,

12 në qytet paudhësi, vuajtje e prita, nuk mungojnë në sheshe dhunë e tradhti.

13 Sepse po të më shante armiku, disi do të duroja, të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, disi do të fshihesha para tij,

14 por qe ti, o njeri, shoku im, miku im, i njohuri im,

15 me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!

16 Vdekja i marrtë, gjallë i shtifsha në dhe të zi, sepse të keqen e kanë në shtëpi, në vete!

17 Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, Zoti do të më japë shpëtim.

18 Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë do të dënes i trishtuar e ai do të ma dëgjojë zërin.

19 Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë prej atyre që më sulmojnë: sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.

20 Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata Ai që është para të gjitha jetëve. Për ata kthim nuk ka e Hyjin s’e druajnë!

21 Secili ngre dorën kundër miqve të vet, shkel e thyen besën e dhënë.

22 Më të butë se gjalpi e kanë gojën, zemrën e kanë të gatshme për luftim, fjalët i kanë më të buta se vaji, e ata – shpatë të nxjerra nga milli!

23 Lëshoja kujdesin tënd Zotit e Ai do të të japë fuqi: kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.

24 Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqinj plandosi në gropën e varrit që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta!



Fjala e Zotit