1 Mjeshtrit të korit. Poemë. E Davidit.
2 Pasi Doeg Edomiti shkoi te Sauli e i tha:“Davidi hyri në shtëpinë e Abimelekut.”
3 Pse krenohesh me vepra të këqija ti që je i madh për nga paudhësia?
4 Gjithë ditën trillon tradhti! Gjuha jote brisk i mprehtë, o mjeshtër fitimesh!
5 Ti e do të keqen më tepër se të mirën, gënjeshtrën se të flasësh të vërtetën,
6 të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, o gjuhë fitimesh!
7 Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhdukë, do të të zhdukë për përgjithmonë, do të të çrrënjosë prej tendës, do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
8 Të tmerruar do të shohin të drejtët e do të qeshin mbi të:
9 “Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, por shpresoi në kamjen e vet të madhe dhe krenohej me tradhtitë e veta.”
10 E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, shpresoj në mirësinë e Hyjit për amshim e në shekuj të shekujve.
11 Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë në sy të besimtarëve të tu.