1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 Kur erdhi tek ai profeti Natan pasi kishte mëkatuar me Betsabenë.
3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim e më pastro prej fajit tim!
5 Sepse e pranoj paudhësinë time: mëkatin tim përherë e kam para sysh.
6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj dhe kam bërë ç’është keq para teje, prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, dhe i paanshëm në dënimin tënd.
7 Ja, mëkatar unë linda, madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
8 por ti që e do çiltërsinë e zemrës, m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
9 Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
10 Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara.
11 Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, e resiti të gjitha fajet e mia.
12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate, mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, dhe më forco me shpirt të gatshëm.
15 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit e fajtorët do të kthehen tek ti.
16 Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
17 Zhdërvilloj, o Zot, buzët e mia, dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli, e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
19 Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
20 Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
21 Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd.