1 Psalm. I Asafit. Flet Zoti, Hyji i hyjnive dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
2 Nga Sioni, shkëlqim bukurie, Hyji ndriçon!
3 Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: para i shkon zjarri që përpin, përreth tmerrshëm tërbohet stuhia.
4 E thërret qiellin prej së larti edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
5 “Bashkoni para meje besimtarët e mi, që me fli lidhën Besëlidhjen me mua”!
6 Qiejt shpallin drejtësinë e tij sepse Hyji është gjykatës!
7 “Dëgjo, populli im, dua të flas, o Izrael, dëshmoj kundër teje: unë Hyji jam Hyji yt!
8 Nuk të qortoj për flitë e tua, flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
9 S’do të pranoj prej shtëpisë satë mëzat, as cjap prej tufave të tua.
10 Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, me mijëra kafshë në malet e mia.
11 I njoh të gjithë shpendët e ajrit dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
12 Po të kisha uri, ty nuk do të të thoja: imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
13 Pse, a thua unë ha mish mëzetërish e pi gjak cjepsh?
14 Kushtoji Hyjit fli falenderimi dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
15 e më thirr në ditën e travajit: unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë”!
16 Kurse mëkatarit Hyji i thotë: “Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
17 kur ti e urren disiplinën, pas shpine i hedh urdhrat e mi?
18 Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
19 Gojën tënde e përdor për fitime, gjuha jote thur dredhi.
20 Me paramendim flet kundër vëllait tënd, çnderon djalin e nënës sate.
21 Kështu veprove e unë heshta. A mendon ti se unë jam si ti? Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë”.
22 Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: mos më bëni t’ju fus në thonj se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit atij që ecën udhës së drejtë.