Duke ngarkuar...

< Ps 48 Ps 50 >
Psalmet(Ps 49)
49

1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Psalm.

2 Dëgjoni këto, o popuj të gjithë, degjoni të gjithë banorët e tokës:

3 vegjëli e bujarë, të pasur e të vobektë së bashku:

4 goja ime do t’ju shpallë dijen, zemra ime mendime urtësie.

5 Fjalëve të urta do t’u vë veshin, me këngë do të zbuloj gjëra të fshehta.

6 Përse të trembem në ditë të këqija, kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?

7 Ata shpresojnë në pasuritë e veta mburren me kamjen e madhe të veten.

8 E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:

9 çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë dhe askurrë nuk mund të paguhet,

10 që njeriu të jetojë gjithmonë e të mos e shohë gropën e varrit.

11 Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit: vdes i marri, vdes i patenzoni: të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!

12 Varret e tyre – shtëpia e tyre e përhershme: banesë e tyre brezni pas breznie, megjithëse tokat e veta i quajtën me emër të vet.

13 Edhe njeriu në mirëqenie erret e nuk ndjeh, krahasohet me kafshët që ngordhin dhe është i ngjashëm me to.

14 I tillë është fati i atyre që shpresojnë në vetvete, mbarimi i atyre që me gojë ia bëjnë qejfin vetes.

15 Porsi delet rresht zbresin në Nëntokë, Vdekjen do ta kenë bari. Do të zbresin me rrëmbim në varr, dukja e tyre me shpejt do të mbarojë: Nëntoka do të jetë vendbanimi i tyre.

16 Ndërsa Hyji do ta shpëtojë shpirtin tim, nga kthetrat e Nëntokës vërtet do të më marrë te vetja.

17 Mos u tremb kur ndokush pasurohet, kur i rritet gjëja e shtëpisë së tij:

18 kur të vdesë asgjë s’do të marrë me vete, me të s’do të zbresë pasuria e tij.

19 Sa qe gjallë njëmend thuhej se qe i lum: “Do të të lavdërojnë se ia bëre qejfin vetes”,

20 por edhe ai do të shkojë të bashkohet me etër, të cilët kurrë më s’do ta shohin dritën e diellit.

21 Njeriu që jeton marrëzisht ndër kënaqje, nuk kupton; krahasohet me kafshët që theren, dhe është i ngjashëm me to.



Fjala e Zotit