Duke ngarkuar...

< Ps 43 Ps 45 >
Psalmet(Ps 44)
44

1 Mjeshtrit të korit. I bijve të Koreut. Poemë.

2 O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, etërit tanë na e treguan, veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, në ditë të kahershme.

3 Me dorën tënde i çrrënjose paganët e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, i shfarose popujt e stërgjyshërit i zgjerove.

4 Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, as krahu i tyre nuk ua solli fitoren, por e djathta jote dhe krahu yt e drita e fytyrës sate, sepse i kishe për zemër.

5 Ti je mbreti im dhe Hyji im që ia dhurove fitoren Jakobit!

6 Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm ata që u çuan kundër nesh.

7 Shpresa ime nuk është në harkun tim, as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,

8 por ti na shpëton nga armiqtë, ti i turpëron ata që na urrejnë.

9 Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.

10 Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.

11 Na bëre të ikim para armiqve tanë, ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.

12 Na dhe mish për kërraba si të ishim dele dhe na trete ndër paganë.

13 E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.

14 Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjve tanë, përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.

15 Na bëre përrallë për popuj: përmbi ne paganët e tundin kokën!

16 Përditë turpin tim e kam para sysh, turpi ma mbulon fytyrën

17 prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.

18 Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,

19 as zemra jonë nuk u largua prej Teje, as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,

20 e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, na mbulove me hije të vdekjes.

21 Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,

22 pse Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, nuk do ta kishte hetuar këtë?

23 E pra, për shkak tënd na vrasin çdo ditë, të çmuar porsi delet për therore.

24 Zgjohu, përse po fle, o Zot? Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!

25 Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?

26 Se u poshtëruam e ramë përdhe, zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.

27 Çohu, na eja në ndihmë! Na shpëto pashë dashurinë tënde!



Fjala e Zotit