1 Mjeshtrit të korit. Poemë. E bijve të Koreut.
2 Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!
3 Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
4 Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, ndërsa më thonë për çdo ditë: “Ku është Hyji yt?”
5 Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend si shtegtoja në krye të turmës,si prijës – drejt banesës së Hyjitme brohori e këngë lavdinë procesion kremtues!
6 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
7 Shpirti im është në pikëllim, prandaj ty të kujtoj nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
8 Humnera thërret humnerën me ushtimën e ujërave të tua, të gjitha vorbullat e valët e tua kaluan përmbi mua.
9 Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, natën kënga e tij me mua: lutje Hyjit të jetës sime.
10 Do t’i them Hyjit: “Mbrojtja ime, pse më harron? Përse endem i trishtuar, prej armiqsh i rrethuar”?
11 Edhe eshtrat më thërmohen prej trishtimit për shkak të armiqve të mi që më thonë përditë: “Ku është Hyji yt”?
12 Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim.