Duke ngarkuar...

< Ps 39 Ps 41 >
Psalmet(Ps 40)
40

1 Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm.

2 Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin dhe ai u prir drejt meje,

3 e vështroi britmën time. Ai më nxori nga gropa e mjerimit, nga gropa plot baltë, këmbët m’i qiti mbi shkëmb dhe m’i bëri të fortë hapat.

4 Në gojë më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë. Shumë do të shohin e do të druajnë dhe do të shpresojnë në Zotin.

5 I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten gënjeshtrës.

6 Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty! Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj.

7 Fli e dhurata ti nuk do, vetë ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,

8 atëherë thashë: “Ja, po vij unë. Në Librin e Ligjit shkruan për mua:

9 Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime”.

10 Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.

11 Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd, kurrë s’e mohova mirësinë tënde e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut.

12 E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht,

13 sepse më rrethuan të këqija të panumërta, më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh: më shumë janë se fijet e flokëve të kokës, kështu që edhe zemra po më lëshon.

14 Denjo, o Zot, të më shpëtosh, o Zot, nxito të më ndihmosh!

15 Le të turpërohen e le t’i mbulojë turpi ata që synojnë të ma marrin jetën! Le të zmbrapsen dhe le të mbesin të turpëruar ata që ma dëshirojnë të keqen!

16 Le të mbesin të hutuar në turpin e vet ata që, të kënaqur për të keqen time, më përqeshin!

17 Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, të gjithë ata që të kërkojnë ty e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”, të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.

18 Njëmend jam skamnor e i vobektë porse Zoti kujdeset për mua. Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: Hyji im, deh, mos vono.



Fjala e Zotit