1 Psalm. I Davidit. Në kujtim.
2 Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd as mos më ndëshko në zemërimin tënd!
3 sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, mbi mua rëndoi dora jote.
4 S’ka vend të shëndoshë në trupin tim për shkak të zemërimit tënd, s’ka paqe në eshtrat e mi për shkak të mëkateve të mia.
5 Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, më ndrydhin porsi barra e rëndë.
6 U qelbën dhe u kalbën plagët e mia për shkak të marrëzisë sime,
7 u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, i trishtueshëm endem gjithë ditën.
8 Digjen prej etheve ijet e mia, asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.
9 I lodhur e i këputur krejtësisht gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.
10 Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,
11 zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi edhe drita e syve të mi po fiket.
12 Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.
13 Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, më kërcënohen me vdekje ata që ma dëshirojnë të keqen, gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.
14 E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,
15 u bëra njëmend si ai që nuk ndien, si ai që në gojë përgjigje s’ka.
16 Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.
17 Sepse thashë: “Deh, mos lejo të ngihen në mua, kur të më merren këmbët, të mos krenohen kundër meje”.
18 E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, dhembjen time përherë e kam para syve.
19 Ja, unë e pranoj fajin tim, jam i prishur për mëkatin tim.
20 E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.
21 Të mirën ma kthejnë me të keqe e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.
22 Mos më lër vetëm, o Zot, Hyji im, mos u largo prej meje.
23 Nxito të më ndihmosh, o Zot, Shëlbuesi im.