Duke ngarkuar...

< Ps 36 Ps 38 >
Psalmet(Ps 37)
37

1 I Davidit @@@ Mos u zemëro kundër keqbërësve as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

2 Sepse do të thahen me shpejtësi si kashta e do të kalben si bari i njomë.

3 Shpreso në Zotin e bëj mirë: kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.

4 Vëre gëzimin tënd në Zotin e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

5 Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

6 Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, të drejtën tënde porsi mesdita.

7 Hesht para Zotit e shpreso në të e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, për njeriun që djerron tradhti.

8 Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, mos u nervozo se vetëm prish punë,

9 sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.

10 Edhe pak kohë e keqbërësi do të sharrojë, tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,

11 kurse të butët do ta trashëgojnë tokën e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.

12 Keqbërësi i vë prita të drejtit, kundër tij kërcëllon dhëmbët,

13 por Zoti e përqesh atë, sepse e sheh se do t’i vijë dita.

14 Mëkatarët vringëlluan shpatën dhe ngrehën harkun për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.

15 Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, harku i tyre copë e grimë do të bëhet.

16 Më mirë pakica e të drejtit sesa pasuria e madhe e keqbërësit,

17 sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.

18 Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.

19 Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, s’do t’u mungojë buka në kohë zie.

20 Kurse keqbërësit – armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, porsi stolia e fushave do të vyshken, do të zhduken porsi tymi.

21 I paudhi merr hua e nuk kthen, ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.

22 Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.

23 Zoti i forcon hapat e njeriut dhe përcjell me dashuri udhën e tij.

24 Kur rrëzohet nuk thërmohet, sepse Zoti e mban për dore.

25 I ri qeshë edhe u plaka, por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore as fëmijët e tij duke kërkuar bukë.

26 Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.

27 Hiqu së keqes e bëj të mirën e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,

28 sepse Zoti e do të drejtën dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet. @@@ Keqbërësit me siguri do të shfarosen, breznia e tyre do të shuhet.

29 Tokën do ta trashëgojnë të drejtët dhe në të do të banojnë për amshim.

30 Goja e të drejtit e shkoqit dijen, gjuha e tij shpall të drejtën.

31 Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: nuk çalojnë hapat e tij.

32 I paudhi e përgjon të drejtin: shikon si ta vrasë.

33 Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tija nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.

34 Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve. Res

35 E pashë të paudhin tepër të lartësuar, të lartë porsi cedrin e kërthndezët;

36 kalova dhe, ja, nuk ishte, e kërkova e nuk e gjeta.

37 Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: njeriu i paqes pas vetes lë djalin.

38 Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.

39 Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

40 Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, do t’i lirojë prej keqbërësve sepse shpresuan në të.



Fjala e Zotit