Duke ngarkuar...

< Ps 35 Ps 37 >
Psalmet(Ps 36)
36

1 Mjeshtrit të korit. I Davidit, shërbëtorit të Zotit.

2 Paudhësia pëshpërit mu në zemër të keqbërësit, frika e Hyjit s’është para syve të tij.

3 Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.

4 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.

5 Në shtrojën e vet sajon paudhësinë, ecën vazhdimisht udhës së keqe, djallëzinë nuk e urren.

6 Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, bujaria jote deri në majë të reve!

7 Drejtësia jote si malet, më të lartat, gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.

8 Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.

9 Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.

10 Sepse tek ti është burimi i jetës, në dritën tënde ne shohim dritën.

11 Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.

12 Mos më shkeltë këmba e madhështorit, mos më drejtoftë dora e mëkatarit.

13 Këtu u thyen keqbërësit, ranë e më s’mund tëngrihen!



Fjala e Zotit