1 I Davidit. Dënoji, o Zot, ata që më paditin, luftoji ata që më luftojnë!
2 Merri armët e mburojën e çohu të më ndihmosh,
3 Vringëllo heshtën e sakicën kundër atyre që më përndjekin, thuaji shpirtit tim: “Unë jam shëlbimi yt!”
4 U turpërofshin dhe u çnderofshin ata që e kërkojnë jetën time, u zmbrapshin dhe u turpërofshin ata që ma mendojnë të keqen.
5 U bëfshin porsi byku para erës e i dëboftë engjëlli i Zotit!
6 Udha e tyre u bëftë e errët e rrëshqitëse kur në shpinë t’u vihet engjëlli i Zotit!
7 Sepse pa arsye ma ngrehën rrjetën, sepse pa arsye ia hapën gropën shpirtit tim.
8 U ardhtë vdekja e papritur, u zënçin në rrjetën që vetë e ngrehën, rënçin në gropën që vetë e hapën!
9 Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, do ta gëzojë shpëtimin e tij.
10 Të gjithë eshtrat e mi do të thonë: “E kush është, o Zot, si ti që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, prej cubave të mjerin e skamnorin”.
11 U ngritën dëshmitarë të pashpirtë, më pyesin për gjëra që s’i di,
12 të mirat m’i kthejnë me të këqija: vetmim për shpirtin tim.
13 E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë, ngjeshesha me grathore, me agjërim e mundoja shpirtin tim, lutesha për ta me gjithë afshin e zemrës.
14 Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllanë kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.
15 E taniqë vetë rrëshqita, ata po gëzohen, u bashkuan për të më salvuar papritmas,
16 vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, më përqeshin duke më shpotitur, kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.
17 O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, prej luanëve të vetmen të mirë timen.
18 Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, do të të lavdëroj mes popullit të shumtë.
19 Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.
20 Sepse ata nuk flasin për paqe, por trillojnë dredhi kundër paqedashësve të dheut.
21 Hapin gojën e vet kundër meje e thonë: “Hë, hë! Me sytë tanë ia pamë të zezën”!
22 Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, o Zot, mos më rri larg!
23 Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!
24 Më gjyko sipas drejtësisë sate, o Zot, Hyji im, që të mos gëzohen mbi mua!
25 Të mos thonë në zemrën e tyre: “Lum shpirti ynë”! Që të mos thonë: “E përpimë”!
26 U skuqshin dhe njëherësh u çnderofshin, ata që i gëzohen të keqes sime, turpi dhe marrja i mbuloftë ata që çohen kundër meje!
27 U kënaqshin dhe u gëzofshin, ata që e kanë për zemër drejtësinë time! Thënçin përherë: “Qoftë madhëruar Zoti që e do paqen e shërbëtorit të vet”.
28 Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, ditë për ditë lavdin tënd.