1 I Davidit, kur u shtir si i dalë mendsh para Abimelekut e, i dëbuar prej tij, u largua.
2 Përherë do ta bekoj Zotin, në gojën time përherë lavdi i tij.
3 Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.
4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni fytyra juaj nuk do të turpërohet.
7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
8 Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre që e kanë frikë dhe i shpëton.
9 Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të!
10 Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
11 Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
12 Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën e Zotit.
13 A e dëshiron jetën, o njeri? A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
14 Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
15 Ik prej së keqes e bëj të mirën, kërkoje paqen e ndiqe atë!
16 Sytë e Zotit shohin të drejtët, veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
17 Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
18 Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
19 Zoti është afër atyre që pendohen me zëmër, i shpëton shpirtpërgrirët.
20 Sado të vështira të ketë i drejti, prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
21 Zoti i ruan eshtrat e tyre: asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
22 E keqja e vet do ta vrasë keqbërësin, e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
23 Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.