1 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi!
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
3 Këndoni atij një këngë të re, përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit.
6 Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
7 si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, oqeanet i qet në ujëmbledhës.
8 Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, të gjithë banorët e rruzullit le të tuten para tij!
9 Sepse ai foli – gjithçka u bë, ai urdhëroi – gjithçka u përftua!
10 Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve.
11 Synimi i Zotit qëndron për amshim, mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
14 Prej vendit të vet të shenjtë i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat e i kupton të gjitha veprat e tyre.
16 Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, as vigani në saje të fuqisë së madhe.
17 Kot e pret fitoren nga kali, fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
19 për t’i shpëtuar nga vdekja e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21 Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sikurse ne shpresojmë në ty.