1 I Davidit. Maskil. Lum ai që iu fal mëkati, që iu mbulua faji!
2 Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
3 Pse heshta, eshtrat m’u kalbën prej dënesës së vazhdueshme,
4 sepse ditën, natën dora jote rëndonte mbi mua, fuqia më lëshonte porsi në vapë të verës.
5 Atëherë ta dëftova mëkatin tim, fajin tim më nuk e fsheha. Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim”, e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
6 Prandaj le të lutet çdo besimtar në kohë të përshtatshme, kur të vërshojnë ujërat e shumta, atë s’do ta zënë.
7 Ti je strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, do të më rrethosh me këngë gëzimi.
8 Do të të bëj të ditur, do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, sytë e mi do t’i përqëndroj mbi ty.
9 Mos u bëni si kali e mushku që nuk kanë mend. Për ta lypset kapistër e fre për t’i sunduar, përndryshe s’do të afroheshin tek ti.
10 Shumë vështirësi e rrethojnë keqbërësin, atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
11 Gëzohuni në Zotin e galdoni, o të drejtë, brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.