1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 Në ty, o Zot, shpresoj: mos lejo të turpërohem për amshim, më liro me drejtësinë tënde.
3 Prire drejt meje veshin tënd, nxito të më shpëtosh! Ji për mua qetë shpëtimi, kështjellë mbrojtjeje!
4 Sepse forca ime e strehimi im ti je: pashë Emrin tënd më pri e më sundo.
5 Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, sepse ti je fuqia ime.
6 Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, më shpërble, o Zot, Hyji besnik.
7 Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rremë, ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.
8 Me gëzim do t’i brohoris mirësisë sate se ti shikove me dhimbje mbi mjerimin tim, ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;
9 nuk më dorëzove në thonjt e armiqve të mi, hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.
10 Ki mëshirë për mua, o Zot, se ndodhem në ngushtim të madh! Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, shpirtin edhe trupin.
11 Jeta më sharroi në dhembje e vjetët më kaluan në dënesë, fuqia më mbaroi nga mundi e eshtrat m’u thanë.
12 Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr. Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.
13 Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, u bëra porsi enë e thyer.
14 Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: bëjnë mbledhje kunder meje, pleqërojnë si të ma marrin jetën.
15 E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, unë them: “Ti je Hyji im,
16 në duart e tua fati im”! Më shpëto prej duarve të armiqve të mi dhe prej atyre që më salvojnë.
17 Kthjelloje fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: më shpëto me mëshirën tënde.
18 O Zot, unë nuk do të turpërohem se ty të thirra në ndihmë, por u turpërofshin keqbërësit dhe u plandosshin në Nëntokë!
19 U thafshin buzët gënjeshtare, që flasin kundër të drejtit ashpër, me krenari dhe plot përbuzje.
20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, të cilën e ruan për ata që të druajnë, e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty në sy të bijve të Adamit.
21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate larg nga ngatërresat e njerëzve, i strehon në Tendën tënde larg nga gjuhët ngatërrestare.
22 Qoftë bekuar Zoti që më pajisi me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
23 Ndërsa në vështirësinë time mendoja: “I përjashtuar jam prej syve të tu!”, por ti e dëgjove zërin e lutjes sime kur drejt teje lëshova kushtrimin.
24 Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: ai i ruan besimtarët e vet, por edhe atë që vepron me madhështi Zoti e shpaguan sipas meritave.
25 Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju që shpresoni në Zotin.