Duke ngarkuar...

< Ps 29 Ps 31 >
Psalmet(Ps 30)
30

1 Psalm. Këngë në festën e Kushtimit të Tempullit. E Davidit.

2 Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.

3 O Zot, Hyji im, unë të thirra e ti më shërove,

4 ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

5 Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, falenderojeni Emrin e shenjtë të tij!

6 Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij e tërë jetën dashamirësia e tij! Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

7 Kur nuk më mungonte gjë, thosha: “Askurrë s’do të trandem”!

8 Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem.

9 Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, i lutesha Hyjit tim.

10 Ç’dobi nga gjaku im në qoftë se zbres në shkatërrim? A thua do të të lavdërojë pluhuri, e do ta kumtojë besnikërinë tënde?

11 Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, Zoti u bë ndihmëtari im.

12 Ti vajin ma ktheve në valle, ma zhveshe grathoren time e më ngjeshe me hare,

13 që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: “O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim”!



Fjala e Zotit