1 I Davidit. Të thërras në ndihmë, o Zot, Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje, sepse po ndenje shurdh ndaj meje do të bëhem si ata që zbresin në varr.
2 Dëgjoje zërin e lutjes sime kur me afsh të thërras në ndihmë, kur i ngre duart e mia në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
3 Mos më merr me mëkatarë e me ata që bëjnë të keqen: flasin për paqe me të afërmit e vet, kurse në zemër përbluajnë të keqen.
4 Shpaguaji sipas veprave të tyre, sipas paudhësisë së veprimeve të tyre. Shpaguaji sipas veprave të duarve të tyre, jepu shpagimin si e meritojnë.
5 Ata e përbuzin veprimin e Zotit, i bëjnë asgjë veprat e duarve të tija: përdhe i përplastë e më mos i ngrittë!
6 Qoftë bekuar Zoti që e dëgjoi zërin e lutjes sime.
7 Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: zemra më gëzohet e me këngën time e falenderoj.
8 Zoti është fuqia e popullit të vet, kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet.
9 Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: priju e ngriji deri në amshim!