1 I Davidit. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem?
2 Kur më sulen keqbërësit për të më ngrënë gjallë, kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen.
3 Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; edhe atëherë jam plot shpresë.
4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj që të jetoj në Shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shijoj kënaqësinë e Zotit e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
5 Zoti më fsheh në tendën e vet në ditë të vështirë, më strehon në vend të fshehtë të tendës së vet, më ngre lart mbi qetë.
6 E tani e lartësoj kokën mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, do t’i këndoj Zotit këngë hareje.
7 Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
8 Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”! “Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj”.
9 Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd! Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!
10 Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, por Zoti më mori ndore.
11 Ma trego, o Zot, udhën tënde dhe më drejto shtegut të drejtë për shkak të armiqve të mi!
12 Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rremë, të cilët shfryjnë dhunë.
13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve.
14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin!