1 Mjeshtrit të korit. Psalm. I Davidit.
2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!
3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.
4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, po as zë që do të mund të dëgjohet,
5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!
6 Diellit në to ia ngrehu tendën: del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, thua vigani pash më pash i bie sheshit!
7 Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, udha e tij kapet në skajin tjetër, asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.
8 I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin; për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, të miturve u jep dijen.
9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën; urdhri i Zotit është i qartë, dritë u jep syve.
10 E panjollë është frika e Zotit, nuk ndërron në shekuj të shekujve; gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njësoj të drejta.
11 Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
12 Shërbëtori yt me kujdes i mëson: t’i mbash ato është fitore e madhe.
13 Porse kush i heton gabimet? Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,
14 ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenarisë që të mos më zotërojë ajo, atëherë do të jem i patëmetë, i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.
15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime, edhe mendimi i zemrës sime para teje, o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!