1
Mjeshtrit të korit. E shërbëtorit të Zotit, Davidit, që ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge, kur Zoti e kishte shpëtuar nga pushteti i të gjithë armiqve të tij
2 dhe nga dora e Saulit. Ai tha:
Të dua, o Zot, fuqia ime!
3 Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime, Streha ime, Shpëtimtari im!
Perëndia im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj!
Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
4 Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
5 Më rrethuan valët e vdekjes,
më tmerruan përrenjtë e Belialit,
6 më lidhën leqet e Nëntokës,
po më shtrëngonin prangat e vdekjes:
7 atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit,
kushtrim i lëshova Hyjit tim:
nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim,
britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!
8 Toka u trand edhe u tund,
u lëkundën themelet e maleve,
vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!
9 Nëpër vrima të hundës tym ngufoi,
prej gojës zjarr e flakë buçiti,
prush i gjallë prej tij flakëroi!
10 I uli qiejt, poshtë zbriti,
nën këmbë re të murrme!
11 Kaluar mbi kerubin fluturoi,
lundroi mbi krahët e erërave!
12 Si me vel me errësirë u mbështoll,
tenda e tij – errësirë uji, re përmbi re,
13 para fytyrës së tij zhdukeshin retë
me breshër e prush të gjallë!
14 Gjëmat e motit qiellit gjëmuan:
i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri:
breshër e prush zjarri!
15 I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata,
i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.
16 Atëherë u dukën burimet e ujërave,
u zbuluan themelet e rruzullit
prej qortimit tënd, o Zot,
prej erës së frymës të hidhërimit tënd.
17 Shtriu dorën prej majës e më mori,
më nxori nga ujërat e shumta,
18 më shpëtoi nga armiku i fortë,
prej atyre që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
19 Më sulmuan në ditën më të keqe,
por Zotin e pata krah,
20 Ai më qiti në vendin e shpëtimit,
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
21 Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime,
më shpërbleu sipas pastërtisë së duarve të mia,
22 sepse unë i mbajta udhët e Zotit,
nuk u largova prej Hyjit tim.
23 Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh,
dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.
24 Jam i pastër para syve të tij,
sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.
25 Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime,
sepse e pa pastërtinë e duarve të mia.
26 Ti je i mirë me njeriun e mirë,
me të pafajshmin je i pafajshëm,
27 me të mbrapshtin ti je i zgjuar.
28 Ti e shpëton popullin e përvuajtur,
e krenarët i bën t’i ulin sytë.
29 O Zot, ti e ndez dritëzën time,
ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.
30 Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve,
me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.
31 Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër,
fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr:
Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.
32 Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit?
Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?
33 Hyji që më ngjesh me fuqi,
që e bën udhën time të pastër.
34 Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve,
ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.
35 Ai m’i ushtron duart për luftim
e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.
36 Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd,
e djathta jote më ndihmoi,
mirësia jote më rriti.
37 Ti i zgjeron hapat e mi nën mua
e këmbët e mia më nuk më merren.
38 I ndiqja armiqtë e mi e i zija,
mbrapa nuk ktheja derisa i shfarosja.
39 I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin,
rrëzoheshin nën këmbët e mia.
40 Ti më ngjeshe më fuqi për luftë,
kurse armiqtë e mi i vure nën mua.
41 Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën,
kurse ata që më urrejnë i shpërndave.
42 Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi,
thirrën edhe Zotin – por ai s’u përgjigj.
43 I grimcova porsi pluhurin para erës,
i shkela porsi baltën e rrugës.
44 Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim,
prijës më bëre ndër popuj paganë:
më shërbeu populli që as nuk e njihja!
45 Fjalën time e dëgjojnë me poni,
bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,
46 para meje të huajt tremben,
u dridhën në strehimet e veta.
47 Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
48 Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem!
Ti i shtron popujt nën mua,
ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,
49 ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi,
ti më shpëton prej njeriut të dhunshëm.
50 Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë,
himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!
51 Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet,
Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!