< Ps 144 Ps 146 >
Psalmet(Ps 145)
145

1

Himn. I Davidit.
@@@
Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.

2 Çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.

3 Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyertueshme është madhëria e tij!

4 Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.

5 Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.

6 Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.

7 Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe,
do t’i brohorisin drejtësisë sate.

8 Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

9 Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
e le të bekojnë shenjtërit e tu.

11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd,

12 për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde
dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

13

@@@
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme,
pushteti yt prej breznie në brezni.
@@@
Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta,
i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

14 Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët,
i çon ata që rrëzohen.

15 Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty,
ti u jep ushqim në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.

19 E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë,
ua dëgjon përlutjen dhe i shpëton.

20 Zoti i ruan të gjithë ata që e duan,
kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.

21 Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit,
çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë
përgjithmonë e jetës.



Fjala e Zotit