< Ps 143 Ps 145 >
Psalmet(Ps 144)
144

1

I Davidit.
Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im
që m’i mëson duart për luftim
e gishtërinjtë për luftë.

2 Mëshira ime dhe kështjella ime,
strehimi im dhe çlirimtari im,
shqyti im pas të cilit fshihem,
ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.

3 O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi,
biri i njeriut që të kujdesesh për të?

4 Njeriu i përngjan avullit,
ditët e tija si hija që kalon.

5 O Zot, priri qiejt e tu e zbrit,
preki malet e ato le të tymojnë.

6 Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë,
flakëro shigjetat dhe shpartalloji!

7 Shtrije dorën tënde prej së larti
më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha,
prej kthetrave të bijve të huaj,

8 goja e të cilëve gënjeshtra veç flet,
e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në gënjeshtër.

9 O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re,
për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,

10 sepse mbretërve ti u jep fitoren,
e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,
prej shpatës vrastare.

11 Më shpëto e më liro
prej kthetrave të bijve të të huajve,
goja e të cilëve gënjeshtra veç flet,
e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në gënjeshtër.

12 Bëj që fëmijët tanë të jenë porsi pema
që rritet në rininë e vet,
bijat tona porsi shtyllat e këndeve,
të hijshme porsi shtyllat e Tempullit.

13 Drithnikët tanë mbushi plotë e përplot
me gjithfarë frytesh me shumicë,
delet tona me mijëra u shtofshin,
të panumërta nëpër fushat tona,

14 gjedhet tona të majme e të shëndosha.
Rrënime as sulme mos pastë në muret tona,
as vaj e gjëmë ndër sheshet tona!

15 Lum ai popull që i ka këto të mira,
lum ai popull që Hyjin e ka Zot!



Fjala e Zotit