1
Psalm. I Davidit.
O Zot, dëgjoje lutjen time,
vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime,
më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
2 Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd,
se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
3 Armiku e salvon shpirtin tim,
përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë
porsi të vdekurit e kahershëm,
4 shpirti im po rënkon në mua,
të mpitë e kam zemrën në kraharor.
5 Më kujtohen ditët e shkuara,
i kujtoj të gjitha veprat e tua,
i peshoj veprat që ti i kreve.
6 I ngre drejt teje duart e mia,
shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
7 Përgjigjmu pa vonesë, o Zot,
se mbeta pa frymë,
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje
të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
8 Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes,
sepse shpresën e kam vënë në ty.
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci,
sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin.
9 Më shpëto prej armiqve të mi,
o Zot, jam ndore tënde!
10 Më mëso ta kryej vullnetin tënd,
sepse ti je Hyji im.
Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
11 më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd.
Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi,
12 pashë mëshirën tënde shpërndaji armiqtë e mi,
zhduki të gjithë ata që e salvojnë shpirtin tim
sepse unë jam shërbëtori yt.