1
Psalm. I Davidit.
O Zot, klitha drejt teje, eja me shpejtsi tek unë!
Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!
2 U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde,
lartësimi i duarve të mia porsi flia e mbrëmjes.
3 Vërja rojën, o Zot, gojës sime,
edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.
4 Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija
për të sajuar punë të liga me njerëz të paudhë
që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.
5 Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë, le të më qortojë,
por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time,
por paça lutjen përballë mbrapshtisë së tyre!
6 Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre
do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.
7 Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë
shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!
8 Tek ti, o Zot, o Zot, janë sytë e mi,
ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.
9 Më ruaj prej grackës që ma kanë ngritur,
prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.
10 Të gjithë keqbërësit bashkë rënçin në leqe të veta,
kurse unë shëndoshë e kalofsha udhën.