< Ps 131 Ps 133 >
Psalmet(Ps 132)
132

1

Këngë shtegtimi.
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi
e gjithë mirësia e tij,

2 si iu përbetua Zotit,
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:

3 “Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime,
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,

4 nuk do t’u jap gjumë syve të mi,
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,

5 pa e pasë gjetur një vend për Zotin,
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.”

6 Ja, dëgjuam se është në Efratë,
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

7 Le të hyjmë në tendën e tij,
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!

8 Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd,
ti dhe arka e Pushtetit tënd!

9 Priftërinjtë e tu le të veshen me drejtësi,
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

10 Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit,
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!

11 Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën,
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
“Bamin e kraharorit tënd
do ta vë mbi fronin tënd!

12 Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë
do të rrinë përmbi fronin tënd”.

13 Sepse Zoti e zgjodhi Sionin,
e pëlqeu për banesë të veten:

14 “Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë,
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirova.

15 Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tija,
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.

16 Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim,
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.

17 Atje do të bëj t’i lulëzojë Pinjolli Davidit,
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.

18 Armiqtë e tij do t’i vesh me turp,
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë
kurora e tij!”



Fjala e Zotit