< Ps 118 Ps 120 >
Psalmet(Ps 119)
119

1

ALELUJA!
@@@
Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!

2 Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.

3 Sepse ai nuk vepron keq,
por ecën udhëve të tija.

4 Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.

5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!

6 Atëherë s’do të skuqem
nëse do t’i mbaj urdhërimet e tua.

7 Do të të lavdëroj në pastërtinë e zemrës,
i mësuar ndër gjyqet e drejtësisë sate.

8 Unë do t’i zbatoj rregulloret e tua,
por ti askurrë mos hiq dorë prej meje!

9 Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet?
Duke i zbatuar fjalët e tua.

10 Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim:
mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.

11 Fjalët e tua i fsheha në zemrën time,
që të mos gaboj kundër teje.

12 I bekuar je, o Zot,
ma mëso vullnetin tënd.

13 Me buzët e mia i shpall një nga një
të gjitha qjyqet e gojës sate.

14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua
se pasurisë tejet të madhe.

15 Do të ushtrohem në urdhërimet e tua,
do t’i kujtoj udhët e tua.

16 Do të kënaqem në rregulloret e tua,
s’do ta harroj fjalën tënde.

17 Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.

18 M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.

19 Ravgues jam unë përmbi dhe,
mos i fsheh para meje urdhërimet e tua.

20 Shpirti im meket gjithherë
prej dëshirës së qjyqeve të tua.

21 Ti u kërcënohesh krenarëve:

22 Më liro nga poshtërimi e turpi,
sepse i ruaj dëshmitë e tua.

23 Nëse edhe princat bëjnë mbledhje e flasin kundër meje,
shërbëtori yt ushtrohet në rregulloret e tua.

24 Sepse dëshmitë e tua janë kënaqësia ime,
rregulloret e tua këshilltarët e mi.

25 Shpirti im hiqet zvarrë nëpër pluhur:
më përtërij sipas zotimit që më dhe.

26 I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove:
m’i mëso rregulloret e tua.

27 Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua
e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.

28 Prej trishtimit shpirti im qan me lot,
më forco shpirtërisht sipas premtimit që më dhe.

29 Më mbaj larg nga udha e gënjeshtrës,
më pajis me Ligjin tënd.

30 E kam zgjedhur udhën e së vërtetës,
në zemër i kam urdhërimet e tua.

31 Jam lidhur pas vendimeve të tua, o Zot,
mos lejo të turpërohem.

32 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua,
sepse ti ma ke shndritur zemrën.

33 Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua,
dhe unë do ta mbaj gjithmonë.

34 Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd
e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.

35 Më prij udhës së urdhërimeve të tua,
sepse në të e kam kënaqësinë time.

36 Prire zemrën time drejt urdhërimeve të tua
e jo drejt lakmimit të pasurisë.

37 Largoji sytë e mi të mos e shohin kotësinë,
më përtërij në udhën tënde.

38 Plotësoja shërbëtorit tënd premtimin tënd
që ua dhe atyre që të druajnë.

39 Më shpëto nga çnderimi që aq fort i trembem,
sepse gjyqet e tua janë të mrekullueshme.

40 Oh, sa fort i dua urdhërimet e tua,
më përtërij në drejtësinë tënde!

41 Ma jep, o Zot, mëshirën tënde,
shëlbimin tënd sikurse m’u zotove.

42 Do t’u përgjigjem atyre që më poshtërojnë
se shpresoj në fjalën tënde.

43 Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës,
sepse kam besim në gjyqet e tua.

44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë,
në shekuj e në jetë të jetës.

45 Do të eci udhës së gjerë,
sepse i kërkoj urdhërimet e tua.

46 Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua
e nuk do të më vijë turp.

47 Do të kënaqem në urdhërimet e tua,
që aq shumë i kam për zemër.

48 I lartësoj duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua,
e do t’i bluaj në mendje rregulloret e tua.

49 Të të bjerë ndër mend zotimi që i dhe shërbëtorit tënd,
me të cilin më ke dhënë shpresë.

50 Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim
sepse fjala jote ma përtëriti jetën.

51 Krenarët po më përqeshin së tëpërmi,
por unë nuk i shmangem Ligjit tënd.

52 I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta
dhe në to gjej ngushëllim.

53 Unë zemërohem tepër në mëkatarë
që i shmangen Ligjit tënd.

54 Këngë janë për mua urdhërimet e tua,
në dheun e shtegtimit tim.

55 Natën e kujtoj, o Zot, Emrin tënd,
dhe e zbatoj Ligjin tënd.

56 E mua më ndodh kështu,
sepse i mbaj urdhërimet e tua.

57 Zoti është pjesa e trashëgimit tim:
e dhashë fjalën t’i mbaj urdhërimet e tua.

58 T’u përluta me gjithë fuqi të zemrës:
ki dhimbje për mua sipas fjalës që më dhe.

59 I shqyrtova hollë udhët e mia
dhe i ktheva hapat e mi në urdhërime të tua.

60 Nxitova e nuk vonova
për t’i zbatuar urdhërimet e tua.

61 Më rrethuan leqet e të patenzonëve,
nuk e harrova Ligjin tënd.

62 Në mesnatë ngrihem për të të thurur lavdi
për shkak të vendimeve të tua të drejta.

63 Jam mik me të gjithë ata që të druajnë,
me ata që i zbatojnë urdhërimet e tua.

64 Plot është toka, o Zot, me dashurinë tënde,
m’i mëso rregulloret e tua.

65 I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd
ashtu si ia dhe fjalën.

66 Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen,
sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67 Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.

68 Ti je i mirë e bën mirë,
ma mëso vullnetin tënd.

69 Krenarët përbluajnë kundër meje tradhti,
por unë me gjithë zemër do t’i mbaj urdhërimet e tua.

70 U trash zemra e tyre si dhjami,
ndërsa unë kënaqem në Ligjin tënd.

71 shtë mirë për mua që vuajta,
kështu do ta mësoj vullnetin tënd.

72 Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra ar e argjend.

73 Duart e tua më bënë e më dhanë trajtë,
më jep kuptim t’i mësoj urdhërimet e tua.

74 Kur më shohin ata që ty të druajnë, gëzohen,
sepse shpresova në fjalën tënde.

75 E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta,
me plot të drejtë më përule.

76 Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.

77 Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse Ligji yt është kënaqësia ime.

78 Le të turpërohen krenarët pse dijekeqas më poshtërojnë,
e unë do t’i kujtoj urdhërimet e tua.

79 Le të sillen drejt meje ata që ty të druajnë,
ata që i njohin dëshmitë e tua.

80 U përsostë zemra ime në rregulloret e tua,
që kurrë të mos trupërohem.

81 Po më shkrihet shpirti në pritje të shëlbimit tënd,
kam besim të plotë në premtimin tënd.

82 Sytë po më shteren prej dëshirës së fjalës sate
e them: “Kur do të ma japësh ngushëllimin?”

83 U bëra si rrësheku në tym,
por nuk i harrova rregulloret e tua.

84 Po edhe sa ditë do të rrojë shërbëtori yt?
Kur do t’i gjykosh përndjekësit e mi?

85 Më hapën gropa krenarët
që s’jetojnë sipas Ligjit tënd.

86 Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta;
dijekeqas më kanë salvuar: deh, më eja në ndihmë!

87 Për pak sa s’më rrëzuan përdhe,
megjithatë unë nuk u shmangem urdhërimeve të tua.

88 Më përtërij pashë dashurinë tënde
e unë do t’i ruaj dëshmitë e gojës sate.

89 E amshueshme është, o Zot, fjala jote,
e qëndrueshme porsi qielli.

90 Brez pas brezi e vërteta jote;
e themelove tokën dhe ajo qëndron.

91 Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot,
sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Po të mos ishte Ligji yt kënaqësia ime,
do të kisha mbaruar në mjerimin tim.

93 Kurrë e për këtë jetë s’do t’i harroj urdhërimet e tua,
në saje të tyre ti më mban në jetë.

94 Yti jam: deh, ti më shpëto,
sepse i kërkoj me zell urdhërimet e tua.

95 Të mbrapshtët mundohen të më humbasin;
por unë i kujtoj porositë e tua.

96 Çdo përsosmërie unë i shoh kufirin:
por Ligji yt kufi nuk ka.

97 Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd:
gjithë ditën e bluaj me mend!

98 Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.

99 Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi,
sepse i kujtoj urdhërimet e tua.

100 Më i dijshëm jam edhe se pleqtë,
sepse i mbaj urdhërimet e tua.

101 Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes
për t’i ruajtur urdhërimet e tua.

102 Nuk u shmangem gjyqeve të tua,
sepse ti ma dhe Ligjin.

103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua,
më të ëmbla se mjalti për gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë,
prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.

105 Fjala jote është dritëz për këmbët e mia,
dritë për udhët e mia.

106 U përbetova dhe do ta mbaj fjalën:
do t’i ruaj gjyqet e drejtësisë sate.

107 Jam për së tepërmi i përvuajtur, o Zot,
ma përtërit jetën sipas premtimit tënd.

108 Pranoji, o Zot, dhuratat e gojës sime
dhe m’i mëso gjyqet e tua.

109 Jeta ime është gjithmonë në rrezik,
por nuk e harroj Ligjin tënd.

110 Të mbrapshtët vunë leqe kundër meje,
por nuk iu shmanga porosive të tua.

111 Dëshmitë e tua janë trashëgimi im i përhershëm,
janë kënaqësia e shpirtit tim.

112 E përul zemrën time që t’i kryej urdhërimet e tua
përherë e deri në fund.

113 I urrej ata që janë si mësalla me dy faqe
dhe e dua Ligjin tënd.

114 Përkrenarja dhe shqyti im je ti,
kam besim të plotë në fjalën tënde.

115 M’u hiqni sysh, o keqbërës,
se dua t’i zbatoj urdhërimet e Hyjit tim!

116 Më përkrah si më premtove e do të jetoj
dhe mos më tradhtoftë shpresa ime.

117 Më përkrah e do të shpëtoj,
do të kënaqem vazhdimisht në rregulloret e tua.

118 Ti i urren ata që u shmangen urdhërimeve të tua,
sepse mendimi i tyre është gënjeshtër.

119 Porsi ndryshkun ti i zhduk nga faqja e dheut keqbërësit,
prandaj unë i dua dëshmitë e tua.

120 Trupi im më dridhet prej frikës sate,
sepse i kam frikë gjyqet e tua.

121 Veprova me drejtësi e me të drejtë,
mos më dorëzo te shpifësit e mi.

122 Hyr dorëzanë për të mirën e shërbëtorit tënd,
që të mos më shpifen krenarët.

123 Sytë po më shteren prej dëshirës së shëlbimit tënd
dhe të fjalës së drejtësisë sate.

124 Bëj me shërbëtorin tënd sipas dashurisë sate
dhe m’i mëso rregulloret e tua.

125 Unë jam shërbëtori yt,
më jep kuptim t’i njoh dëshmitë e tua.

126 Koha është të dëftohesh, o Zot,
se e prishën Ligjin tënd.

127 Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e paçmueshëm.

128 Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.

129 Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.

130 Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.

131 Hap gojën e marr frymë
i mallëngjyer për porositë e tua.

132 Kthehu prej meje e ki mëshirë për mua
ti që je i drejtë për ata që e duan Emrin tënd.

133 Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate,
të mos më sundojë asnjë e keqe.

134 Më shpëto prej shpifjeve të njerëzve,
që t’i ruaj urdhërimet e tua.

135 Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd
dhe m’i mëso urdhërimet e tua.

136 Sytë e mi derdhën rrëke lotësh,
sepse nuk mbahet Ligji yt.

137 I drejtë je, o Zot,
edhe gjyqet e tua janë të drejta.

138 Ti e ke dhënë Ligjin tënd të drejtë
dhe shumë besnik.

139 Zelli im po më shkrin
kur shoh se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua.

140 Fjalët e tua janë me zjarr të sprovuara,
prandaj shërbëtori yt i do ato.

141 Jam i ri edhe i përbuzur,
por nuk i kam harruar urdhërimet e tua.

142 Drejtësia jote, drejtësi e përhershme,
Ligji yt është i vërtetë.

143 Vuajta shumë dhe pata vështirësi,
urdhërimet e tua janë kënaqësia ime.

144 Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshueshme,
më bëj të kuptoj e do të kem jetë.

145 Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo,
dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.

146 Klitha drejt teje, deh më shpëto,
që t’i ruaj dëshmitë e tua.

147 Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë,
shpresoj në fjalën tënde.

148 Sytë e mi zgjohen para rojës së natës
për të përsiatur fjalët e tua.

149 Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot,
e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.

150 U afruan ata që më salvojnë dijekeqas,
janë larg nga Ligji yt.

151 Por ti, o Zot, je afër,
besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.

152 Që moti di për urdhërimet e tua,
se i themelove për amshim.

153 Shikoje mjerimin tim e më liro,
se nuk e kam harruar Ligjin tënd.

154 Mbroje çështjen time e më shpaguaj,
për hir të Ligjit tënd më përtërit në jetë.

155 Larg është prej mëkatarëve shëlbimi,
sepse nuk e çajnë kokën për urdhërimet e tua.

156 Mëshira jote është e madhe, o Zot,
në fuqi të gjyqeve të tua më përtërit në jetë.

157 Shumë janë ata që më salvojnë e më poshtërojnë,
por unë nuk iu shmanga dëshmive të tua.

158 I pashë ata që e lanë rrugën e m’u velën,
sepse nuk i mbajnë fjalët e tua.

159 Shiko, o Zot, se i dua urdhërimet e tua,
më kërthndez në jetë sipas dashurisë sate.

160 Për parim fjalët e tua kanë të vërtetën,
të gjitha gjyqet e drejtësisë sate janë për amshim.

161 Të mëdhenjtë më salvojnë pa arsye,
zemra ime trembet vetëm prej fjalëve të tua.

162 Unë u gëzohem fjalëve të tua
porsi ai që fiton pre të madhe.

163 E urrej gënjeshtrën dhe më velet,
kurse Ligjin tënd e kam për zemër.

164 Shtatë herë në ditë ty të thur lavde
për gjyqet e drejtësisë sate.

165 Dashamirësit e Ligjit tënd gëzojnë paqe të madhe,
ata askurrë nuk marrin në thua.

166 Ndihmën tënde, o Zot, e pres
dhe i mbaj urdhërimet e tua.

167 Shpirti im i ruan ligjet e tua
dhe i desha ato me gjithë shpirt.

168 I mbaj ligjet e tua e dëshminë tënde,
sepse të gjitha udhët e mia janë para syve të tu.

169 Le të arrijë tek ti, o Zot, britma ime,
ma ndriço mendjen sipas fjalës sate.

170 Le të dalë lutja ime para fytyrës sate,
më liro ashtu si ma ke dhënë fjalën.

171 Buzët e mia do ta këndojnë këngën e lavdit
sepse ti m’i mësove rregulloret e tua.

172 Gjuha ime le ta këndojë fjalën tënde,
sepse të gjitha urdhërimet e tua janë të drejta.

173 E paça në ndihmë të djathtën tënde,
sepse i zgjodha urdhërimet e tua.

174 E dëshiroj shumë, o Zot, shëlbimin tënd,
kënaqësia ime është Ligji yt.

175 Do të jetojë shpirti im dhe do të të lavdërojë,
në ndihmë do t’i kem gjyqet e tua.

176 U enda poshtë e lart porsi delja e humbur,
kërkoje shërbëtorin tënd
sepse urdhërimet e tua nuk i kam harruar.



Fjala e Zotit