1
ALELUJA!
E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime,
2 sepse mbi mua e priri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.
3 Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e Nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje,
4 Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën”!
5 I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
6 Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
7 Kthehu, shpirti im, në qetësinë tënde,
sepse Zoti është bamirësi yt!
8 Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotëve,
këmbët e mia prej rënies.
9 Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
10 Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:
“Jam i pafat për së tepërmi!”.
11 Në hutimin tim kam thënë:
“Rrenacak është çdo njeri”!
12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
14 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij.
15 E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mia:
17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,
19 në oborret e Shtëpisë së Zotit,
mes teje, o Jerusalem!