< Ps 108 Ps 110 >
Psalmet(Ps 109)
109

1

Mjeshtrit të korit. I Davidit. Psalm.
O Hyj, nderi im, mos rri në heshtje,

2 sepse goja e mëkatarit e goja e dinakut u hap kundër meje.
Folën kundër meje me gjuhë ziliqare,

3 më rrethojnë me fjalë urrejtjeje,
më sulmojnë pa farë arsyeje.

4 Dashurinë time e shpërblejnë me shpifje
e unë vetëm lutem.

5 Të mirën ma kthejnë me të keqe
e dashurinë time ma shpaguajnë me urrejtje.

6 “Lëshoje kundër tij të paudhin,
paditësi le t’i rrijë në të djathtë.

7 Kur të gjykohet le të dalë i dënuar,
lutja e tij në mëkat iu ktheftë.

8 Ditët e tija iu pakofshin,
shërbesën e tij e marrtë një tjetër!

9 Fëmijët e tij mbetshin jetimë,
gruaja e tij vejushë.

10 Të bijtë iu bëfshin endacakë e lypës,
u dëbofshin jashtë rrënojës së tyre!

11 Kamatari ia rrëmbeftë pasurinë,
të huajt ia përpifshin frytin e mundit të tij!

12 Askush për të mos pastë dhemshuri,
askujt mos iu dhimbshin fëmijët e tij!

13 Dera e tij me ferra u mbylltë,
në brezin e parë emri iu harroftë!

14 Zoti e pastë gjithnjë para sysh fajin e të parëve të tij,
mos u shleftë as mëkati i nënës së tij.

15 Para syve të Zotit qofshin përherë
dhe e zhduktë nga toka kujtimin e tyre!”

16 Sepse askurrë s’u kujtua të bëjë mëshirë,
por e përndoqi skamnorin e lypësin,
deri në vdekje e ndiqte njeriun zemërpërvëluar.

17 E deshi mallkimin – mbi të rëntë;
s’e deshi bekimin – kurrë mos e pastë!

18 Me mallkim u vesh porsi me petk:
e përshkoftë si uji në përmbrendësat e tija,
porsi vaji në eshtrat e tij!

19 Iu bëftë porsi petku me të cilin mbulohet,
porsi brezi me të cilin ngjeshet!

20 Këtë shpagim paçin para Zotit paditësit e mi,
ata që flasin keq kundër shpirtit tim.

21 E ti, o Zot, o Zot, sillu me mua sipas Emrit tënd:
më shpëto sepse e mirë është mëshira jote,

22 se unë jam nevojtar e skamnor,
sepse e plagosur është zemra ime në mua.

23 Mbarova porsi hija kur shkon në të sosur,
më dëbojnë si të isha karkalec!

24 Gjunjët po më lëshojnë prej agjërimit,
mishi im u tha pa pikën e dhjamit.

25 Përqeshje për ta unë u bëra,
tundin kokën kur mbi mua shikojnë.

26 Më ndihmo, o Zot, Hyji im,
më shpëto në saje të mëshirës sate,

27 le ta dinë se kjo është dora jote:
se ti, o Zot, e bëre këtë vepër!

28 Ata le të mallkojnë, por ti beko;
le të turpërohen ata që më salvojnë,
kurse shërbëtori yt le të gëzohet!

29 I mbuloftë turpi shpifësit e mi,
le të mbulohen si me llahik me turpin e vet!

30 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në sheshin e burrave do ta nderoj,

31 sepse Ai i rri në të djathtë skamnorit,
për ta shpëtuar nga gjykatësit shpirtin e tij.



Fjala e Zotit