< Ps 102 Ps 104 >
Psalmet(Ps 103)
103

1

I Davidit.
Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

5 me të mira t’i mbush vitet e tua:
do të përtërihet si shqiponjës rinia jote.

6 Zoti bën veç vepra të mira,
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.

7 Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,
bijve të Izraelit veprat e veta.

8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

9 Nuk zemërohet gjithherë
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

11 Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

12 Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

13 Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

14 Sepse mirë e di si jemi të përbërë,
s’e harron se ne jemi pluhur.

15 Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari:
porsi lulja e fushës lulëzon,

16 sa e prek era e më s’është,
më s’e kujton as vendi i vet.

17 Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit
e në amshim mbi ata që e druajnë

18 dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve,
mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij
dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

19 Zoti e forcoi fronin e vet në qiell,
mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.

20 Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij,
ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij,
duke i dëgjuar urdhrat e tij.

21 Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija,
shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

22 Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit,
në çdo vend të sundimit të tij!
Shpirti im, bekoje Zotin!



Fjala e Zotit