1
Lutja e të mjerit të rënë ngushtë
që derdh ankthin e vet para Zotit.
2 O Zot, dëgjoje lutjen time
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
3 Mos e fsheh fytyrën tënde para meje
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje:
kurdo të të thërras më dëgjo shpejt!
4 Sepse ditët e mi po zhduken si tymi,
e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
5 Zemra po më thahet si bari i kositur
e po harroj të ha edhe bukën time.
6 Prej gjëmave të mia të mëdha
u bëra asht e lëkurë.
7 U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë,
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
8 Rri zgjuar e rënkoj
porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz.
9 Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi,
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
10 Ha hi porsi bukë,
e pijen time e përziej me lot.
11 Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd,
sepse më lartësove e më mposhte.
12 Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur
e unë u thava porsi bari.
13 Por ti, o Zot, qëndron për amshim,
prej breznie në brezni Emri yt.
14 Ngrihu, ki dhembje për Sionin:
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të
pikërisht tani është koha!
15 Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
16 Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
17 Sepse Zoti e ndërtoi Sionin,
u dëftua në lavdinë e vet.
18 E mori parasysh lutjen e të vobektëve
dhe nuk e përbuzi lutjen e tyre.
19 Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve,
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
22 që në Sion të shpallet Emri i Zotit
e lavdia e tij në Jerusalem,
23 kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
24 Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia,
ditët m’i shkurtove.
Do të them: “Hyji im,
25 mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia,
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
26 Që në fillim themelove Tokën
edhe qielli është vepër e duarve të tua.
27 Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim,
gjithçka do të vjetrohet si petku.
Ti i shndërron porsi veshjet e zhduken,
28
29 Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe,
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.”