< Ps 100 Ps 102 >
Psalmet(Ps 101)
101

1

I Davidit. Psalm.
Dua të këndoj dashurinë e drejtësinë,
për nderin tënd, o Zot, do t’i bie muzikës!

2 Do të përparoj në udhën e pafajësisë:
kur do të vish ti tek unë?
Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime,
brenda shtëpisë sime.

3 S’do të vë para syve të mi
asnjë padrejtësi,
e urrej njeriun që vepron të keqen:
nuk do të qëndrojë afër meje.

4 Zemra e keqe do të jetë larg meje,
keqbërësin s’dua ta njoh.

5 Atë që fshehtas i shpifet të afërmit të vet
unë do ta zhduk.
Mendjemadhin dhe krenarin
nuk do ta duroj.

6 I kam sytë mbi të drejtët e vendit
që të banojnë bashkë me mua,
ai që ecën udhës së pafajësisë,
do të jetë shërbëtori im.

7 Nuk do të banojë brenda shtëpisë sime
ai që gënjen,
ai që flet gënjeshtra
nuk do të qëndrojë para syve të mi.

8 Çdo mëngjes do të shfaros keqbërësit e vendit,
do t’i shfarosë prej qytetit të Zotit
të gjithë ata që bëjnë paudhësi.



Fjala e Zotit