< Oz 8 Oz 10 >
Lexim prej librit të Ozese(Oz 9)
9

1 Izrael, mos u gëzo,

mos galdo si popujt e tjerë,

sepse e le Zotin tënd për të lavirësuar,

të pëlqeu shpagimi,

mbi të gjitha lëmet e drithit.

2 Lëmi as tinari nuk do t’i ushqejnë,

edhe vera në gënjeshtër do t’i lërë.

3 S’do të qëndrojnë në tokën e Zotit,

Efraimi do të kthehet në Egjipt,

në Asyri do të hajë ushqime të ndyta.

4 Zotit verë s’do t’i njomin më,

flitë e tyre s’do t’i pëlqejnë më.

Buka e tyre si buka e vajtorëve:

kush ta hajë i papastër do të bëhet

‑ buka e tyre veç do t’u mbajë frymën ‑

nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

5 Çfarë do të bëni në ditë të kremte,

ditën e festimit të Zotit?

6 Ja, ikën para shfarosjes,

Egjipti do t’i bashkojë,

Memfisi do t’i varrosë:

argjendin të lakmueshëm të tyre,

hithrat do ta trashëgojnë,

tendat do t’ua mbulojnë ferrat.

Lajmërimi i ndëshkimit shkakton përndjekjen e profetit

7 Arritën ditët e ndëshkimit,

arritën ditët e shpagimit:

le ta dijë Izraeli!

‘I marrë ‑ bërtet ‑ është profeti!

E la mendja njeriun e frymëzuar!’

Për fajësinë tënde të madhe,

janë të shumta armiqësitë e tua.

8 Efraimi, populli i Hyjit tim,

profetin po e spiunon;

në të gjitha udhët i është vënë rrjeta,

sulmohet der në Shtëpi të Hyjit të tij.

9 U prishën veç deri aty

porsi në ditët e Gabaasë!

S’i harron fajësitë e tyre:

do t’i ndëshkojë mëkatet e tyre.

Ndëshkimi i fajit në Beelfegor

10 Unë e gjeta Izraelin,

porsi rrushin në shkretëtirë

si kokrrat e para të fikut të lashtë

etërit tuaj i pashë.

Posa arritën në Beelfegor

Turpësisë ia kushtuan veten

edhe u bënë të neveritshëm

porsi ajo gjë që e dashuruan.

11 Si shpendi Efraimit do t’i ikë nderi:

jo më lindje, shtatzani as ngjizje!

12 Po edhe nëse do të rrisin fëmijë,

prej njerëzve do t’i shfarosë;

po, oh po, mjerim për ta

kur unë të heq dorë prej tyre!

13 Efraimi, me aq sa pashë,

bijtë e vet i vuri shpend për gjah,

Efraimi bijtë po i çon në therore!

14 ‘Jepu, o Zot! E çka t’u japësh?

Barkun e shuar, gjinjtë e thatë!’

Ndëshkimi i fajit të Galgalës

15 Tërë faji i tyre u dëftua në Galgalë,

pikërisht atje i mora mëri.

Për veprat e tyre të këqija

do t’i dëboj nga shtëpia ime.

S’do të vazhdoj unë më t’i dua;

të parët e tyre të gjithë janë kryengritës.

16 Efraimi u godit,

rrënjët iu thanë,

kurrë nuk do të japë më fryte.

Po edhe në qoftë se do të lindin fëmijë,

do t’i vras

frytet e dashura të kraharorit të tyre.

17 Hyji im do t’i përbuzë,

sepe Atë nuk e dëgjuan

dhe do të enden nëpër kombe!



Fjala e Zotit