< Oz 1 Oz 3 >
Lexim prej librit të Ozese(Oz 2)
2

1 Bijtë e Izraelit për nga numri

do të jenë porsi rëra e detit

që s’mund të matet as s’mund të numërohet.

Do të ndodhë: në vendin ku u thuhej:

‘Ju nuk jeni populli im’,

do t’u thuhet: ‘Bijtë e Hyjit të gjallë!’

2 Do të bashkohen bijtë e Judës

së bashku me bijtë e Izraelit,

do të caktojnë për vete një krye të vetëm

e do të dalin nga vendi,

sepse do të jetë e madhe dita e Jezrahelit.

3 Thuajuni vëllezërve tuaj: ‘Populli Im’,

motrave tuaja: ‘Mëshirëmadhja!’

Zoti dhe bashkëshortja e pabesë

4 Paditeni nënën tuaj,

paditeni,

sepse ajo s’është më gruaja ime,

unë nuk jam më burri i saj!

Le t’i heqë prej fytyrës së vet

shenjat e lavirësisë

dhe shenjat e pabesnikërisë

nga mesi i kraharorëve të saj;

5 ndryshe do ta zhvesh cullak,

lakuriq si kur u lind

e do ta kthej në shkretëtirë,

në tokë të etur shkrumb për ujë:

do të bëj shpirti t’i dalë nga etja!

6 S’do të kem mëshirë për bijtë e saj

pse janë pjellë e lavirësisë.

7 Nëna e tyre u lavirësua,

ngjizësja e tyre turpërisht veproi

sepse tha:

‘Do të shkoj pas dashnorëve të mi,

ata më japin bukë e ujë,

lesh e li e vaj e pije.’

8 Prandaj, ja, unë rrugën tënde

me ferrëkuqe do ta zë,

me ledhe do ta rrethoj,

s’do t’i gjejë shtigjet e veta!

9 Do të vrapojë përpas dashnorëve,

s’do t’i zërë;

do t’i kërkojë, por s’do t’i gjejë,

e do të thotë:

‘Po kthehem te burri im i parë,

sepse isha më e lume se tani!’

10 Nuk e dinte se unë i jepja

grurë e verë edhe vaj të mirë;

i dhuroja argjend e ar,

që e përdorën për të punuar baalët.

11 Prandaj do të shkoj e do të marr prapa

grurin tim në kohën e tij,

edhe verën në kohën e saj,

do të marr prapa lesh e li

me të cilët duhej të mbulonte veten.

12 Turpësinë tani do t’ia zbuloj

po ndër sy të dashnorëve të saj,

s’gjendet ai që prej dorës të ma nxjerrë!

13 Do t’i jap fund çdo gëzimi të saj,

festimit të saj, hënës së re të saj,

të shtunave e të kremteve të saj.

14 Do t’ia prish vresht e fiq,

për të cilët tha:

‘Ja këto janë shpërblimi im

që m’i dhanë dashnorët e mi!’

E në shkurre do t’i kthej

do t’i hanë kafshët e fushës.

15 Do t’i paguajë ditët e baalëve,

kur u digjte kem të erëndshëm,

stolisej me vathë e argjende

e i ndiqte dashnorët e vet

e mua më harronte

‑ është fjala e Zotit.

Zoti e ripërtërit bashkimin

16 Prandaj vetë do ta josh atë,

do ta shpie në shkretëtirë

e do t’i flas zemrës së saj.

17 Do t’i kthej vreshtat e saj,

do ta shndërroj luginën Akor

në derë shprese.

Atje ajo do të përgjigjet

porsi në ditët e rinisë së vet,

porsi në ditët kur pati dalë

prej tokës së Egjiptit!

18 E do të ndodhë pikërisht atë ditë

‑ është fjala e Zotit,

ti do të më thërrasësh: ‘Fati im’,

e s’do të më quash më: ‘Baali im’.

19 Prej gojës së saj do t’i heq baalët,

emrin s’do t’ua kujtojë më.

20 Atë ditë për ta do të lidh besë

me egërsirat e malit,

me fluturakët e qiellit

e me zvarranikët e tokës.

Prej vendit do të shfaros

hark e shpatë e luftë:

do t’i bëj të pushojnë të qetë.

21 Do të të bëj fatin tim të përhershëm,

do të të fejoj në drejtësi e në të drejtë,

me dhembshuri e dashuri.

22 Do të të fejoj në besnikëri

e ti Zotin do ta njohësh!

23 Ja ç’do të ndodhë:

atë ditë do të vështroj lutjen

‑ është fjala e Zotit,

unë do ta vështroj qiellin

edhe ai do të vështrojë tokën;

24 Edhe toka do të përgjigjet

me grurë, verë e vaj të mirë

e këto do t’u përgjegjen

pritjeve të Jezrahelit.

25 Do ta mbjell për mua në vend,

do ta dua ‘Të‑Pa‑Mëshirën’;

26 do t’i them: ‘Jo‑Popullit‑Tim’,

‘Ti Je‑Populli‑Im’

e ai do të më thotë:

‘Ti Je‑Hyji‑Im.”



Fjala e Zotit