1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar Ozesë, birit të Beeriut, në kohën e Ozisë, Joatamit, Akazit e Ezekisë, mbretërve të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbretit të Izraelit.
I. MARTESA E OZESË DHE VËSHTRIMI SIMBOLIK I SAJ
Martesa dhe fëmijët e Ozesë
2 Fillimi i fjalës së Zotit me anë të Ozesë.
Zoti i tha Ozesë:
“Shko e merre një grua që bën lavirësi
e ki fëmijë nga lavirësia e saj,
sepse vendi s’bën tjetër, veç lavirësi ndaj Zotit.”
3 Ai shkoi, pra, e mori Gomerën, bijën e Debelaimit. Kjo ngjizi dhe i lindi djalin.
4 Zoti i tha: “Ngjitja emrin ‘Jezrahel’, sepse edhe pak kohë e do ta ndëshkoj gjakun e Jezrahelit mbi shtëpinë e Jehuit dhe do t’i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit.
5 Atë ditë do ta copëtoj harkun e Izraelit në fushën e Jezrahelit.”
6 Gomera mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi vajzë. Zoti i tha: “Ngjitja emrin: ‘E Pamëshira’, sepse nuk do të kem më mëshirë ndaj shtëpisë së Izraelit, nuk do ta fal më.
7 Unë do ta kem në hir shtëpinë e Judës, do t’i shëlboj në Zotin, Hyjin e tyre, e s’do t’i shpëtoj me hark, shpatë, luftë, kuaj e kalorës.”
8 Pasi Gomera ‘Të Pamëshirën’ e ndau prej gjirit, ngjizi e lindi edhe një djalë.
9 I tha: “Quaje ‘Jo‑Populli‑Im’, sepse ju nuk jeni populli im e unë nuk jam më ‘Ai që jam’ për ju.”