1 Zoti i tha përsëri Moisiut:
2 “Urdhëroju bijve të Izraelit e thuaju: Kini kujdes të më paraqitni flinë bimore ‑ shujtën time ‑ të djegur në zjarr, erë të këndshme për mua, në kohën e caktuar.
3 Ja flia e djegur në zjarr që ju duhet të ma kushtoni”:
@@@
“Çdo ditë dy qengja vjetakë, të patëmetë si fli të përhershme shkrumbimi.
4 Njërin kushtojeni në mëngjes e tjetrin në mbrëmje,
5 bashkë me flinë bimore një të dhjetën e efit më të mirit miell të ngjeshur me një të katërt të hin-it vaj të pastër.
6 Është kjo fli e përhershme shkrumbimi që e keni kushtuar në malin Sinai, në erë të këndshme, e djegur në zjarr në nder të Zotit;
7 njomeni me një të katërt të hin-it verë për çdo qengj. Njomjen bëjeni në Shenjtëtore ‑ pije dehëse në nder të Zotit.
8 Po kështu kushtojeni edhe qengjin e dytë në mbrëmje, sipas ritit të flisë mëngjesore: fli e shkrumbuar në zjarr në erë të këndshme për Zotin”.
9 “Kurse ditën e shtunë kushtoni dy qengja vjetakë, të patëmetë dhe dy të dhjeta të efit endës të ngjeshur me vaj me njomjen që i përket.
10 Kjo është flia e shkrumbimit e të shtunës për çdo të shtunë, përveç flisë së shkrumbimit të përhershme me njomjen e saj”.
11 “Në fillim të muajve tuaj kushtoni Zotit fli shkrumbimi: dy mëzetër, një dash, qengja vjetakë të patëmetë shtatë
12 dhe tri të dhjeta endës të ngjeshur në vaj si fli bimore për çdo mëzat dhe dy të dhjetat endës të ngjeshur në vaj për çdo dash,
13 dhe një të dhjetë të efit endës të ngjeshur në vaj për fli bimore për çdo qengj: fli në erëkëndshmëri, fli e djegur në nder të Zotit.
14 Njomjet e tyre le të jenë: një gjysmë hinit verë për çdo mëzat, një e tretë për dashin, një e katërt për qengj. Kjo le të jetë flia e shkrumbimit për çdo muaj që në rrjedhjen e vitit vjen njëri pas tjetrit.
15 Përveç flisë së përhershme të shkrumbimit me njomjet e tyre le të kushtohet edhe cjapi për flinë për mëkat në nder të Hyjit”.
16 “Kurse në muajin e parë, të katërmbëdhjetën ditë të muajit le të jenë Pashkët në nder të Zotit,
17 e të pesëmbëdhjetën ditë e kremte. Për shtatë ditë ushqehuni me bukë të pabrume.