< Nr 17 Nr 19 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 18)
18

1

Zoti i tha Aronit: “Ti e bijtë e tu dhe familja e tyt et me ty do ta mbartni peshën e mëkateve ndaj Shenjtërores; ti dhe djemtë e tu me ty do të jepni përgjegjësi për mëkatet e priftërisë suaj.

2 Po edhe vëllezërit e tu prej fisit të Levit, fisin e tyt et, merre me vete; të jenë të gatshëm e të ndihmojnë; ti dhe djemtë e tu kryeni shërbesën në Tendën e Dëshmisë.

3 Levitët le të jenë në shërbimin tënd dhe të mbarë Tendës, porse të mos u afrohen enëve të Shenjtërores as lterit që të mos vdesin ata e të mos sharroni edhe ju me ta.

4 Le të jenë me ty e le të kujdesen në rojën e Tendës së takimit dhe për çdo shërbesë që i përket asaj; asnjë laik të mos përzihet me ju.

5 Kujdesoje shërbesën e Shenjtërores e të lterit që më të mos shpërthejë hidhërimi kundër izraelitëve.

6 Unë i mora vëllezërit e tu levitët prej bijve të Izraelit dhe i dhashë dhuratë Zotit që të shërbejnë në Tendën e takimit.

7 Ti e bijtë e tu me ty kryeni priftërinë rreth gjithçkaje që i përket lterit dhe rreth të gjithave brenda tisit. Unë po jua dhuroj priftërinë, ushtrojeni ju këtë shërbesë: nëse guxon të afrohet ndonjë i jashtëm, le të vritet”.

8 Zoti i tha Aronit:

“Ja, ty po t’i lë në kujdes të gjitha që më kushtohen mua. Krejt ç’më shugurohen mua prej bijve të Izraelit po t’i jap ty dhe bijve të tu për shërbesën priftërore që kryeni ‑ ligj i përhershëm.

9 Prandaj, merr prej gjërave më të shenjta, me përjashtim të atyre që digjen: të gjitha flitë kushtimore bimore, flia për mëkat, flia për shpërblim, që do të më kushtojnë: të gjitha këto janë gjëra tejet të shenjta që të takojnë ty dhe bijve të tu.

10 Haji në Shenjtërore. Le t’i hanë vetëm meshkujt. Çmoj se janë gjëra të shuguruara!

11 Po t’i jap ty, bijve e bijave të tua me të drejtë të përhershme edhe si ndihmesë të gjitha dhuratat e kushtuara prej bijve të Izraelit me ritin e lartësimit e të tundjes: kush është i pastër në shtëpinë tënde le t’i hajë.

12 Më të mirin vaj, verë e drithë, çdo frytë të parë të kushtuar Zotit, ta dhashë ty.

13 Të gjitha frytet e para që do të prodhojë toka e tyre e ata t’ia kushtojnë Zotit, le të jenë në përdorimin tënd: kush është i pastër në shtëpinë tënde, le t’i hajë.

14 Gjithçka të jetë në Izrael e goditur me “mallkim”, ty të përket.

15 Ty të takojnë të gjithë të parëlindurit që sillen te Zoti, qoftë të parëlindurit e njerëzve qoftë të kafshëve, por vetëm me këtë qyshke që çdo të parëlindur njeriu dhe kafshë të papastra të bësh t’i shpërblejnë.

16 Shpërblimi le të jetë pasi ta ketë mbushur muajin pesë sikla të argjendtë të peshës së Shenjtërores. Sikli ka njëzet gera.

17 I parëlinduri i gjedhit, i deles e dhisë mos lejo të shpërblehet, sepse janë të shuguruara Zotit. Gjakun e tyre derdhe në lter e dhjamin digje në erë të këndshme Zotit.

18 Mishi i tyre le të përkasë ty. Po ashtu si gjoksi i flisë me ritin e tundjes dhe shpatulla e djathtë.

19 Të gjitha ndihmesat që bijtë e Izraelit ia kushtojnë me lartësim si gjë të shenjtëruar Zotit, të takojnë ty e bijve e bijave të tua me të drejtë të përhershme: marrëveshje kripe i përhershëm para Zotit për ty e për bijtë e tu”.

20 Zoti i tha Aronit:

“Ti s’do të kesh pronë kurrfare në tokën e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mesin e tyre: unë jam pjesa dhe trashëgimi yt në mesin e bijve të Izraelit.

21 Kurse bijve të Levit u dhashë të gjitha të dhjetat e Izraelit si pronë për shërbesën që ma kryejnë në Tendën e takimit,

22 që të mos afrohen më bijtë e Izraelit në Tendën e takimit e të mos bëjnë mëkatin që bie vdekjen.

23 Vetëm levitët le të më shërbesojnë në Tendën e takimit dhe ata le ta marrin mbi vete përgjegjësinë e mëkateve nëse populli afrohet. Le të jetë ligj i përhershëm në breznitë tuaja! Në mesin e bijve të Izraelit të mos kenë farë prone.

24 Për pronë unë u dhashë të gjitha të dhjetat që bijtë e Izraelit ia dhurojnë Zotit. Këndej edhe u thashë atyre: Nuk do të keni pronë ndër bijtë e Izraelit”.

25 Zoti foli me Moisiun e tha:

26 “Urdhëroju levitëve dhe shpallu: Kur prej bijve të Izraelit t’i merrni të dhjetat, që unë jua dhashë juve, prej tyre ju atëherë kushtoni si ndihmesë me ritin e lartësimit në nder të Zotit, d. m. th. të dhjetën pjesë të të dhjetave,

27 që t’ju çmohet si ndihmesë prej lëmës e prej shtrydhësit.

28 Po kështu prej të gjithave që merrni prej bijve të Izraelit si fryte të para, kushtojani me ritin e lartësimit Zotit: e jepjani Aronit prift.

29 Çdo gjë që t’i kushtoni Zotit prej të dhjetave, ndajeni pjesën që duhet të shugurohet në ndër të Zotit: le të jetë pjesa më e mira e më e zgjedhura.

30 Thuaju edhe këtë: Pasi ta keni ndarë pjesën më të mirë të tyre, kjo do të vlejë për ju levitët si të ishin prodhimet e lëmës e të shtrydhësit;

31 dhe do të mund t’i hani në çdo vend ju dhe anëtarët e familjes suaj, sepse është paga juaj për shërbesën që bëni në Tendën e takimit.

32 Kështu nuk do të bini në mëkat pasi nuk i keni ruajtur për vete më të zgjedhurat dhe më të majmet dhe nuk do t’i ndotni kushtet e bijve të Izraelit e nuk do të vdisni”.



Fjala e Zotit