< Nr 14 Nr 16 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 15)
15

1 Zoti foli me Moisiun e tha:  

2 “Fol me izraelitët dhe thuaju: Kur të keni hyrë në tokën që do ta banoni, të cilën unë do t’jua jap

3 e t’i kushtoni Zotit ndonjë fli të djegur në zjarr: fli shkrumbimi, ose therore për të kryer ndonjë kusht ose fli vullnetare, ose fli me rastin e të kremteve tuaja, duke bërë kështu prej bagëtive tuaja të trasha ose të imëta erë të këndshme në nder të Zotit,

4 secili që të kushtojë therore, le të kushtojë edhe si fli kushtimore bimore të dhjetën pjesë të efit endës të ngjeshur me vaj në masën e një të katërt të hin-it,

5 po edhe aq verë ta qesë si njomje përmbi flinë e shkrumbimit ose për therore për çdo qengj.

6 Përmbi flinë e dashit le të jenë si fli kushtimore bimore dy të dhjetat e efit endës të ngjeshur me të tretën pjesë të hinit vaj;

7 dhe le të kushtojë verë të tretën pjesë të njëjtës masë si njomje në erë të këndshme Zotit.

8 Kur fli shkrumbimi ose therore kushton ndonjë gjedh, qoftë për të kryer ndonjë kusht ose edhe si fli pajtimore,

9 jep përmbi çdo gjedh edhe tri të dhjeta të efit më të mirit miell të ngjeshur me një gjysmë hin-i vaj,

10 e po aq verë për njomjen në erë të këndshme Zotit.

11 Kështu vepro për çdo gjedh, dash, qengj e dhi.

12 Sipas numrit të theroreve që do të kushtoni, po ashtu bëni për secilën sipas numrit të tyre.

13 Çdo vendas le të veprojë kështu kur të kushtojë ndonjë fli djegieje në erë të këndshme Zotit.

14 Po edhe çdo i huaj që banon ndër ju ose që ka ngulur të jetojë me ju brez pas brezi, le ta kushtojë flinë e djegies në erë të këndshme Zotit në të njëjtën mënyrë sikurse edhe ju.

15 Një rregullore e vetme le të jetë si për ju ashtu edhe për të ardhur brez pas brezi në praninë e Zotit.

16 Po i njëjti ligj le të jetë dhe e njëjta rregullore si për ju ashtu edhe për të huajin që banon ndër ju”.

17 Zoti foli me Moisiun e tha:

18 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur të keni hyrë në tokën që unë do t’jua jap,

19 e të filloni të hani bukën e atij vendi, ndani dhuratë për Zotin

20 prej të lashtave të magjes suaj ndajeni veçmas një kulaç si fli lartësimi ashtu siç bëhet kushti prej lëmës me ritin e lartësimit,

21 po ashtu edhe prej magjes kushtoni fli në nder të Zotit”.

22 “Nëse do të gaboni pa e ditur e nuk do ta mbani ndonjë prej urdhrave që Zoti ia ka dhënë Moisiut

23 dhe nëpër të ua dha juve prej ditës që filloi të japë urdhra e më tutje brez pas brezit ‑

24 nëse do të ndodhë kështu: në qoftë se mbarë bashkësisë i shpëton kjo padije, atëherë mbarë bashkësia le ta kushtojë një mëzat si fli shkrumbimi në erë të këndshme pajtuese Zotit dhe flinë kushtimore bimore me njomjen e saj siç e kërkon rregulla e saj edhe cjapin për flinë për mëkat.

25 Prifti le ta bëjë ritin e zgjidhjes për mbarë bashkësinë e bijve të Izraelit, dhe do t’ju falet faji, sepse nuk e bëtë me ndërgjegje dhe ata e kushtuan dhuratën e vet të djegies në nder të Zotit për vete e për fajin e gabimin e vet.

26 Dhe do t’i falet mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit dhe të ardhurve që banojnë ndër ta, sepse është faj i mbarë popullit i bërë me padije.

27 Po nëse është një njeri që gabon me padije, le të kushtojë një ftujë si fli për mëkatin e vet.

28 Prifti le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes, sepse me padijeni ra në faj para Zotit. Kur mbi të ta ketë kryer ritin e zgjidhjes, do t’i falet faji.

29 Qoftë për vendasin, qoftë për të ardhurin, kini po të njëjtin ligj kur ndonjëri mëkaton me padijeni.

30 Por njeriu që mëkaton dijekeqas, qoftë vendas ose i ardhur, ai çohet kundër Zotit, i tilli le të shfaroset prej popullit të vet.

31 Ai e përbuzi urdhrin e Zotit dhe zhbëri urdhrin e Zotit, prandaj le të zhduket dhe le ta marrë mbi vete rrjedhimin e fajësisë së vet”.

32 Kur izraelitët ishin në shkretëtirë gjetën një njeri duke mbledhur dru ditën e shtunë.

33 E kapën dhe e çuan te Moisiu, Aroni dhe mbarë bashkësia e Izraelit.

34 Këta, prej se nuk dinin çfarë duhet të bëjnë me të, e mbyllën në burg.

35 E Zoti i tha Moisiut: “Ky njeri le të dënohet me vdekje: me gurë le ta vrasë mbarë bashkësia jashtë zemërimiës”!

36 Pasi e qitën jashtë zemërimiës, e vranë me gurë. Vdiq ashtu siç kishte urdhëruar Zoti.

37 Zoti i tha Moisiut edhe:

38 “Fol me bijtë e Izraelit dhe thuaju: t’i punojnë në kindet e petkave të veta thekë e të vënë në ta napa ngjyrë vjollce,

39 që kur t’i shikoni le t’ju bien në mend të gjitha urdhërimet e Zotit e t’i vini në veprim, kështu që të mos i ndiqni mendimet tuaja e të mos i lavirësoni sytë tuaj pas gjërave të ndryshme,

40 por duke i përkujtuar vazhdimisht urdhë‑ rimet e mia, t’i zbatoni ato e do të jeni të shenjtë për Hyjin tuaj.

41 Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju nxora nga dheu i Egjiptit për të qenë Hyji juaj. Unë Zoti, Hyji juaj”.



Fjala e Zotit