< Nr 13 Nr 15 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 14)
14

1 Atëherë populli e ngriti zërin me britma të mëdha e krejt natën e kaloi në vajtim

2 dhe të gjithë bijtë e Izraelit nynykatën kundër Moisiut e Aronit e thoshin: “Oh, po të kishim vdekur në Egjipt ose në këtë shkretëtirë të gjerë!

3 Po pse na pruri Zoti në këtë vend që të vdesim prej shpatës, kurse gratë e fëmijët tanë të merren skllevër? Po a nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt”.

4 Dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Le ta caktojmë një tjetër prijës e të kthehemi në Egjipt”!

5 Kur e dëgjuan këtë, Moisiu e Aroni ranë përmbys me fytyrë përdhe para mbarë bashkësisë së izraelitëve,

6 kurse Jozuehi, biri i Nunit dhe Kalebi, biri i Jefoneut, që edhe këta e kishin përshkuar në vrojtim vendin, i shqyen petkat e veta

7 dhe iu drejtuan me këto fjalë mbarë bashkësisë së izraelitëve: “Vendi që e përshkuam është shumë i mirë.

8 Nëse Zoti do të na përkrahë, ai do të na shtjerë në të dhe do të na dhurojë një tokë që rrjedh qumësht e mjaltë.

9 Mos u bëni kryengritës kundër Zotit as mos e kini frikë popullin e këtij vendi, sepse janë kafshatë e vogël për ne! S’ka më kush u del zot, kurse me ne është Zoti! Mos kini frikë”!

10 Ndërsa mbarë bashkësia mendonte t’i vrasë me gurë, kur ja, Lavdia e Zotit iu dëftua të gjithë bijve të Izraelit përmbi Tendën e takimit,

11 dhe Zoti i tha Moisiut: “Deri kur do të më përbuzë ky popull? E deri kur nuk do të më besojë megjithëse i bëra ndër sy të tij të gjitha ato mrekulli?

12 Murtajën do t’ia çoj e do ta shfaros! Kurse prej teje do të bëjë një popull më të madh e më të fortë se ky”!

13 Atëherë Moisiu i tha Zotit:

“Do të dëgjojnë egjiptianët, prej mesit të të cilëve e nxore me fuqinë tënde këtë popull

14 e do t’u thonë banorëve të këtij vendi, të cilët e kanë marrë vesh, se ti, o Zot, je në këtë popull dhe se u dëftohesh faqe‑faqas dhe se Reja jote i mbron dhe se ti u prin ditën në shtyllën e Resë e natën në shtyllën e zjarrit,

15 por e vrave këtë popull si të ishte një njeri i vetëm! Atëherë do të thonë patjetër popujt që dëgjuan çfarë flitet për ty:

16 “Zoti nuk pati fuqi ta shtjerë popullin në tokën që me përbetim u betua, e prandaj i shfarosi në shkretëtirë!

17 Le të madhërohet pra, fuqia e Zotit siç u përbetove kur the:

18 ‘Jam Zot i durueshëm dhe mëshirëmadh; e duroj paudhësinë e fajin, sepse i ndërshkoj mëkatet e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez, por askënd nuk lë pa ndëshkuar’.

19 Falja, po të lutem, mëkatin këtij populli në saje të mëshirës sate të pakufi, siç e përkrahe këtë popull prej Egjiptit deri këtu”.

20 Zoti i tha Moisiut:

“Po ia fal në fjalën tënde.

21 Por, pasha jetën time, siç është e vërtetë se Lavdia e Zotit do ta mbushë mbarë botën,

22 asnjë njeri që i pa veprat e mia të madhërueshme dhe shenjat që i bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë Tani dhjetë herë dhe nuk i vuri vesh zërit tim,

23 nuk do ta shohë vendin, të cilin ua premtova etërve me përbetim dhe asnjë prej atyre që më përbuzën s’do ta shohë.

24 Por, shërbëtorin tim Kalebin që me një frymë krejt tjetër më dëgjoi, do ta shtjer në tokën që e përshkoi dhe fara e tij do ta zotërojë.

25 Pasi amalekasit dhe kananejtë banojnë në vërri, nesër ju bëni çojën e kthehuni në shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq”.

26 Zoti foli prapë me Moisiun e me Aronin:

27 “Deri kur kjo bashkësi e mbrapshtë do të murmurisë kundër meje? I kam dëgjuar ankesat e izraelitëve që i bëjnë kundër meje!

28 Pra, thuaju: ‘Pasha jetën time ‑ thotë Zoti ‑ do të bëj me ju ashtu siç ju kam dëgjuar se flisni për mua!

29 Po në këtë shkretëtirë do të bien kufomat tuaja. Të gjithë ju që jeni të regjistruar njëzet vjet e përpjetë e keni nynykatur kundër meje.

30 Po ju bëj be se nuk do të hyni në tokën në të cilën jam betuar se do t’ju vendos, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefoneut, e të Jozuehit, birit të Nunit!

31 Por do të bëj të hyjnë fëmijët tuaj, për të cilët thatë se do të jenë preja e armiqve; ata do ta shohin tokën që juve nuk ju pëlqeu!

32 Kufomat tuaja do të bien rrafshit po në këtë shkretëtirë;

33 kurse bijtë tuaj do të jenë barinj për dyzet vjet, le të vuajnë për shkak të pabesnikërisë suaj derisa të shkrihen kufomat tuaja në shkretëtirë.

34 Sipas numrit të ditëve gjatë të cilave e vrojtuat tokën ‑ një vjet për një ditë ‑ për dyzet vjet shpaguani fajin tuaj. Do të shihni se ç’do të thotë të më përbuzni mua!

35 Unë Zoti e thashë fjalën time, po ju betohem se kështu do të sillem me mbarë këtë bashkësi të mbrapshtë që u ngrit kundër meje: po në këtë shkretëtirë le të shkrihet e le të mbarojë”!

36 Kështu, pra, të gjithë ata burra që Moisiu i kishte dërguar për të bërë vrojtime në atë vend, të cilët, pasi u kthyen, e nxitën bashkësinë të murmurojë kundër tij, duke folur zi për vendin e thënë se është i keq,

37 ranë vdekur të shuplakuar në praninë e Zotit.

38 Vetëm Jouehi i Nunit dhe Kalebi i Jefoneut shpëtuan prej të gjithë atyre që patën shkuar ta vrojtojnë atë vend.

39 Moisiu u tregoi krejt këto fjalë për fjalë të gjithë bijve të Izraelit, e gjithë popullin e mbuloi hije e zezë.

40 Kur ja, heret në mëngjes, mëkuan dhe u nisën të ngjitën në majë të malit e thanë: “Ja, jemi të gatshëm të ngjitemi në vendin për të cilin Zoti ka thënë se kemi mëkatuar”!

41 Por Moisiu u tha: “Përse po e shkelni fjalën e Zotit? Kjo s’do t’ju dalë mbarë!

42 Mos u ngjitni se Zoti nuk është me ju! Ndryshe do të bini të vrarë te këmbët e armiqve tuaj!

43 Para i keni amalekasit e kananejtë, prej shpatës së tyre do të mbaroni, sepse nuk deshët ta dëgjoni Zotin! Zoti nuk do të jetë me ju”!

44 Por ata kryekëcyer u ngjitën në majë të malit, kurse Arka e Dëshmisë së Zotit dhe Moisiu nuk luajtën nga zemërimia.

45 Amalekasit dhe kananejtë, që banonin në atë mal, zbritën, i sulmuan dhe i shpërndanë duke i përndjekur deri në Hormë.



Fjala e Zotit