1 Këtu Zoti foli me Moisiun e tha:
2 ”Dërgoji njerëzit që ta vëzhgojnë dheun e Kanaanit që do t’ua jap bijve të Izraelit. Dërgo nga një prijës të secilit fis”.
3 Moisiu bëri ashtu si i kishte urdhëruar Zoti. Prej shkretëtirës Faran i dërgoi këta krerë, emrat e të cilëve janë:
4 prej fisit të Rubenit, Samuanë e Zahurit;
5 prej fisit të Simonit, Safatin e Huriut;
6 prej fisit të Judës, Kalebin e Jefoneut;
7 prej fisit të Isaharit, Igalin e Jozefit;
8 prej fisit të Efraimit, Ozeenë e Nunit;
9 prej fisit të Beniaminit, Faltiun e Rafuit;
10 prej fisit të Zabulonit, Gedielin e Sodiut;
11 prej fisit të Jozefit, barkut të Manaseut, Gadiun e Susiut;
12 prej fisit të Danit, Amielin e Gemaliut;
13 prej fisit të Aserit, Sturin e Mikaelit;
14 prej fisit të Neftaliut, Nahabiun e Vafsiut;
15 prej fisit të Gadit, Guelin e Mahiut.
16 Këta janë emrat e burrave që Moisiu i dërgoi për të bërë vrojtimet e tokës. Ozeeun e Nunit e quajti Jozueh.
17 Pra, Moisiu i dërgoi për ta vrojtuar dheun Kanaan dhe u tha: “Ngjituni nëpër Nageb. Kur të arrini në male,
18 vështrojeni vendin çfarë është dhe popullin që banon në të a është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë,
19 vetë toka e mirë apo e keqe. Si janë qytetet: pa mure apo të fortifikuara.
20 Toka a është pjellore apo jopjellore, pyllore apo pa lëndë. Kini guxim e na sillni fruta të asaj toke”.
Ishte koha kur piqej rrushi i hershëm.
21 Ata u ngjitën dhe i bënë vrojtimet vendit prej shkretëtirës Sin deri në Rohob, që është në hyrje të Ematit.
22 U ngjitën në Nageb e arritën në Hebron ku ishin Ahimani, Sesaji dhe Tolmaji, bijtë e Enakut. Hebroni ishte themeluar shtatë vjet para Tanimit, qytet i Egjiptit.
23 Kur arritën në Neheleskol e këputën një shermend me vilen e rrushit dhe e mbartën dy vetë në shtagë. Morën edhe shega dhe fiq të atij vendi,
24 që u quajt Neheleskol, për shkak të viles që izraelitët sollën prej andej.
25 Pas dyzet ditësh vëzhguesit, që e kishin përshkuar çdo anë të vendit, u kthyen
26 dhe erdhën te Moisiu, Aroni e mbarë bashkësia e bijve të Izraelit në shkretëtirën Faran, që është në Kadesh. Pasi folën me ta e me mbarë bashkësinë, i dëftuan frutat.
27 Dhanë këtë kumtim: “Qemë në dheun ku na patët dërguar. Në të rrjedh vërtet qumësht e mjaltë, gjë që mund të njihet edhe prej këtyre frutave.
28 Por banorët e atij dheu janë shumë të fortë, qytetet e mëdha dhe të rrethuara me mure. Pamë atje edhe pasardhësit e Enakut.
29 Amalekët jetojnë në Nageb, hetejtë, jebusejtë e amorrejtë në male, kurse kananejtë banojnë në breg të detit dhe gjatë rrjedhjes së Jordanit”.
30 Ndërkaq Kalebi bëri të heshtë populli që nynykatte kundër Moisiut e tha: “Të ngritemi e ta zotërojmë tokën, sepse jemi në gjendje ta fitojmë”!
31 Porse të tjerët që kishin qenë me të, thoshin: “Assesi s’mund të shkojmë kundër atij populli, sepse është më i fortë se ne”!
32 Nisën të flasin keq për atë vend e u thoshin izraelitëve: “Toka që ne e vrojtuam i përpin banorët e vet; populli që pamë ne është i madh me shtat;
33 pamë atje viganët, pasardhësit e Enakut. të gjinisë së viganëve që, të krahasuar me ta, dukeshin si karkaleca”.