< Lev 27 Nr 2 >
Lexim prej librit të Numrave(Nr 1)
1

1 E Zoti foli me Moisiun në shretëtirën e Sinait në Tendën e takimit, ditën e parë të muajit të dytë, të vitit të dytë pasi ata dolën prej Egjiptit e tha:

2 “Bëjeni numërimin e mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre dhe shënoni emër për emër secilin mashkull,

3 njëzet vjet e përpjet, të të gjithë izraelitëve që mund të shkojnë në luftë dhe ti e Aroni shënoni sipas njësive të tyre.

4 Me ju le të jetë nga një njeri për fis, prijësi i fisit të vet”.

5 “Ja, emrat e atyre që do t’ju gjenden në ndihmë:

për fisin e Rubenit, Elisuri, biri i Sedeurit.


6

Për fisin e Simonit, Salamieli, biri i Surisadait.

7 Për fisin e Judës, Nahasoni, biri i Aminadabit.

8 Për fisin e Isaharit, Natanaeli, biri i Suarit.

9 Për fisin e Zabulonit, Eliabi, biri i Helonit.

10 Për fisin e bijve të Jozefit: për Efraimin, Elisamai, biri i Amiudit; për Manaseun, Gamalieli, biri i Fadasurit.

11 Për fisin e Beniaminit, Abidani, biri i Gjedeonit.

12 Për fisin e Danit, Ahiezeri, biri i Amisadait.

13 Për fisin e Aserit, Fegieli, biri Ohranit.

14 Për fisin e Gadit, Eliasafi, biri i Deuelit.

15 Për fisin e Neftaliut, Ahirai, biri i Enanit”.

16 Këta ishin burrat e zgjedhur të bashkësisë, prijësit e fiseve përkatëse, krerët e mijërave të izraelitëve.

17 Moisiu e Aroni i morën këta njerëz të caktuar për emër

18 dhe ditën e parë të muajit të dytë e mblodhën në bashkim mbarë bashkësinë. Dhe i regjistruan sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, emër për emër të gjithë njëzet vjeç e përpjetë,

19 ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. Qenë numëruar në shkretëtirën e Sinait.

20 Prej pasardhësve të Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, të gjithë meshkujt të shkruar emër për emër që janë të aftë për të dalë në luftë prej moshës njëzet vjeç e përpjetë:

21 u regjistruan prej fisit të Rubenit dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.

22 Prej bijve të Simonit u regjistruan pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, emër për emër meshkujt që janë të aftë për të dalë në luftë, njëzet vjeç e përpjetë:

23 u regjistruan prej fisit të Simonit pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.

24 Prej bijve të Gadit, pasardhësit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, emër për emër meshkujt që janë të aftë për të dalë në luftë njëzet vjeç e përpjetë: u regjistruan

25 dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.

26 Prej bijve të Judës pasardhës sipas vëllazërive e barqeve të tyre, emër për emër të gjithë që ishin të aftë për të dalë në luftë, njëzet vjeç e përpjetë:

27 u regjistruan shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.

28 Prej bijve të Isaharit pasardhës, sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, emër për emër, njëzet vjeç e përpjetë u regjistruan të gjithë ata që ishin të aftë të dalin në luftë:

29 pesëdhjetë e katër mijë e katërqind.

30 Prej bijve të Zabulonit pasardhës, sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre, u shkruan për emër të gjithë njëzet vjeç e përpjetë, që mund të dilnin në luftë:

31 pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.

32 Prej bijve të Jozefit, bijve të Efraimit, pasardhës sipas vëllazërive e barqeve të tyre, u regjistruan emër për emër prej vitit të njëzetë e përpjetë të gjithë meshkujt të aftë për të dalë në luftë:

33 dyzet mijë e pesëqind.

34 Kurse prej bijve të Manaseut pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre u regjistruan emër për emër njëzet vjeç e përpjetë të gjithë ata që mund të dilnin në luftë:

35 tridhjetë e dy mijë e dyqind.

36 Prej bijve të Beniaminit pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre u regjistruan emër për emër të gjithë njëzet vjeç e përpjetë që mund të dilnin në luftë:

37 tridhjetë e pesë mijë e katërqind.

38 Prej bijve të Danit pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre u regjistruan emër për emër secili të gjithë njëzet vjeç e përpjetë që mund të shkonin në luftë:

39 gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.

40 Prej bijve të Aserit pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre u regjistruan emër për emër të gjithë njëzet vjeç e përpjetë, që mund të dilnin në luftë:

41 dyzet e një mijë e pesëqind.

42 Prej bijve të Neftaliut pasardhës sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre u regjistruan emër për emër të gjithë njëzet vjeç e përpjetë që mund të dilnin në luftë:

43 pesëdhjetë e tri mijë e katërqind.

44 Këta janë ata që i regjistruan Moisiu e Aroni dhe dymbëdhjetë prijësit e Izraelit, secili sipas vëllazërive të etërve të vet.

45 Numri i të gjithë bijve të Izraelit sipas fiseve të tyre, njëzet vjeç e përpjetë që mund të dilnin në luftë,

46 ishte gjashtëqind e tri mijë e pesëqind e pesëdhjetë.

47 Porse levitët nuk qenë regjistruar me ta sipas fisit të babait të tyre.

48 Zoti foli me Moisiun e tha:

49 “Fisin e Levit mos e numëro dhe mos e shtjer në numrin e bijve të Izraelit,

50 por caktoj ata për shërbesë në Tendën e Dëshmisë, për të gjitha orenditë e saja dhe për gjithçka i përket asaj. Ata le ta mbartin Banesën dhe të gjitha pjesët përkatëse të saja, le të shërbejnë në të dhe le të fushohen rreth saj.

51 Kur do të duhet të bëhet çoja, levitët le ta shkrehin Banesën; kur do të duhet të zemërimiojmë, ata le ta ngrehin. Kushdo që s’është i fisit të Levit e të afrohet, le të vritet.

52 Kurse bijtë e tjerë të Izraelit le të fushojnë secili në fushimin e vet te flamuri i vet me njësitë e veta.

53 Ndërsa levitët le t’i ngulin tendat e veta rreth Tendës së Dëshmisë që të mos ndezet Zemërimi kundër bashkësisë së izraelitëve e le të bëjnë rojën e Tendës së Dëshmisë”.



Fjala e Zotit